Përzgjedhja e profilit përmes konkurseve
Muajt e fundit janë zhvilluar disa konkurse me nxënësit e ofruesve partnerë me qëllim promovimin e profileve të caktuara, mbështetur nga sektori privat. Këtu po përmendim tre prej tyre.
Konkursi i kuzhinës tek shkolla “Kolin Gjoka”
Në konkursin që u zhvillua tek Vila Detari Shëngjin, nxënësit e shkollës “Kolin Gjoka” prezantuan gatime shumë të shijshme përpara jurisë me instruktorë të certifikuar: Françesk Tuku nga restorant “Ara”, Ilda Gjeka nga hotel “Frojd”, Rudina Marku nga restorant “Koral”, Dila Ujka nga Vila Detari Shëngjin. 3 çmimet e para u fituan nga:
- Azem Gashi me pjatën “Fileto levreku me pure”;
- Jetmir Agastra me pjatën “Peshk me garniturë”;
- Helga Gjini me pjatën “Peshk furre me perime dhe ëmbëlsirë” dhe Juraldo Ndoj me pjatën “Role levreku e mbushur me karkalec”.
Barmenët e shkollës Tregtare Vlorë
U zhvillua një trajnim dhe konkurs për barmen me nxënësit e shkollës Tregtare Vlorë nën mentorimin e Ilir Dushkaj, një nga barmenët më të njohur nga Colonial Cocktail Bar Tiranë. Trajnimi shërbeu edhe si promovim i këtij profesioni për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të interesuarve të tjerë.
Konkursi kombëtar i programimit mes shkollave profesionale në vend
Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive dhe Elite Travel Group, u zhvillua konkursi kombëtar i programimit. Për këtë u zhvillua një webinar ku themeluesi i kompanisë Elite Travel Group i prezantoi nxënësit pjesëmarrës me mundësitë që ofron tregu i punës lidhur me drejtimin TIK dhe veçanërisht profilin Programim, dhe një përfaqësues nga kompania u paraqiti nxënësve sfidën për të cilën do të konkuronin. Skuadrat fituese shpallen në fillim të muajit korrik, dhe anëtarët e skuadrave do të fitojnë laptopë, certifikime ndërkombëtare dhe internship-e pranë Elite Travel Group.