Profesionet e së ardhmes

Profesionet e së ardhmes

Disa profesione do të zhduken dhe të tjera do të krijohen ndërsa bota përballet me një polarizim të punësimit.

Raporti i së ardhmes së punësimit 2020” nga World Economic Forum vjen në një moment vendimtar për botën e punës. Ky raport, tashmë në edicionin e tij të tretë, përshkruan vendet e punës dhe aftësitë që do të kërkohen në të ardhmen bazuar në sondazhet me drejtuesit e bizneseve dhe ekspertët e burimeve njerëzore nga e gjithë bota. Këtë vit, raporti synon të hedhë dritë mbi efektin e pandemisë në kontekstin më të gjerë të trendeve afatgjata të teknologjisë. Më poshtë do të gjeni 5 pikat kryesore nga gjetjet.

1. Fuqia punëtore po automatizohet më shpejt sesa pritej, duke zhvendosur 85 milionë vende pune në pesë vitet e ardhshme. Automatizimi së bashku me krizën e shkaktuar nga COVID-19 po krijon një skenar “polarizimi” për punonjësit. Deri në vitin 2025, integrimi i teknologjisë nga kompanitë do të transformojë detyrat, vendet e punës dhe aftësitë. Rreth 43% e bizneseve të anketuara tregojnë se planifikojnë të pakësojnë fuqinë e punës për shkak të integrimit të teknologjisë; 41% planifikojnë të shtojnë numrin e punonjësve të specializuar dhe 34% planifikojnë të zgjerojnë fuqinë e punës si rezultat i integrimit të teknologjisë. Pas 5 vjetësh, parashikohet që puna e njerëzve dhe makinerive të ndahet afërsisht në mënyrë të barabartë.

2. Revolucioni i robotikës do të krijojë 97 milionë vende të reja pune. Ndërsa ekonomia dhe tregjet e punës zhvillohen, role të reja do të shfaqen në fushat e teknologjisë (si inteligjenca artificiale) dhe në krijimin e përmbajtjes (si menaxhimi i rrjeteve sociale apo blogjeve). Profesionet në zhvillim fokusohen drejt në ekonomisë së gjelbër, ekonomisë së të dhënave dhe inteligjencës artificiale dhe pozicione të reja në inxhinieri, informatikë në cloud (cloud computing) dhe zhvillimin e produkteve. Punët e së ardhmes nxjerrin në pah rëndësinë e vazhdueshme të ndërveprimit njerëzor përmes pozicioneve në kujdesin social, marketing, shitje dhe krijim të përmbajtjes, si dhe në pozicione që varen nga aftësia për të punuar me lloje të ndryshme njerëzish me prejardhje të ndryshme.

3. Në vitin 2025, të menduarit analitik, krijimtaria dhe fleksibiliteti do të jenë ndër aftësitë më të kërkuara. Punëdhënësit i shohin këto aftësi gjithnjë e në rritje për nga rëndësia në vitet e ardhshme. Këtë vit është vënë re zhvillimi i aftësive të reja, si: vetë-menaxhimi, të mësuarit aktiv, qëndrueshmëria, toleranca ndaj stresit dhe fleksibiliteti.

4. Bizneset më konkurruese do të përqendrohen në përmirësimin e aftësive të punonjësve të tyre. Që punonjësit të ruajnë vendin e punës gjatë pesë viteve të ardhshme, gati gjysma prej tyre do të duhet të rikualifikohet për aftësitë thelbësore. Sondazhi tregon se sektori publik duhet të sigurojë mbështetje më të fortë për rikualifikimin dhe ngritjen në detyrë të punonjësve të rrezikuar ose të zhvendosur në pozicion. Aktualisht, vetëm 21% e bizneseve raportojnë se mund të përdorin fondet publike për të mbështetur punonjësit e tyre përmes iniciativave të rikualifikimit. Sektori publik duhet të sigurojë stimuj për investime në tregjet dhe vendet e punës të së ardhmes, të ofrojë mbështetje për punonjësit e zhvendosur gjatë kalimit të vendeve të punës dhe të adresojë nevojat e arsimit dhe trajnimit.

5. Puna në distancë do të vazhdojë. Rreth 84% e punëdhënësve kanë vendosur të digjitalizojnë me shpejtësi proceset e punës, duke i dhënë vend të rëndësishëm punës në distancë. Punëdhënësit thonë se ka potencial për ta kaluar 44% të forcës së tyre të punës në distancë. Sidoqoftë, 78% e drejtuesve të bizneseve presin ulje të produktivitetit të punonjësve, dhe shumë biznese po ndërmarrin hapa për t’i ndihmuar punonjësit të përshtaten.

————————————————————–

Ky artikull është publikuar për herë të parë në gjuhën angleze, në faqen “International Monetary Fund”. Klikoni këtu për të lexuar artikullin origjinal.

—————————————————————–

Share This Article: