A ndryshon roli i mësuesit në mësimdhënien online nga roli në mësimdhënien ballë për ballë?

A ndryshon roli i mësuesit në mësimdhënien online nga roli në mësimdhënien ballë për ballë?

Digjitalizimi i arsimit ka nisur padyshim shume më herët se sa pandemia të ndryshonte radikalisht mënyrën si punojmë, mësojmë dhe socializohemi. Sidoqoftë, në Shqipëri dhe në mbarë botën, adoptimi i mësimdhënies online në shkolla është përshpejtuar ndjeshëm në tre vitet e fundit. Brenda një periudhe shumë të shkurtër mësuesit e gjetën veten papritur në një modalitet krejt të ri të mesimdhënies.

Ky transformim i beftë ngre pyetje të rëndësishme mbi ngjashmëritë dhe ndryshimet midis rolit të mësuesve në mjediset tradicionale të mësimdhënies ballë për ballë dhe mësimdhënies në mjediset e mësimit online. Pyetje të tilla janë të rëndësishme sepse marrin në konsideratë nëse mësimdhënësit duhet thjesht të përdorin metodat tradicionale të mësimdhënies në një medium të ri apo duhet të ndryshojnë tërësisht metodologjinë mësimore online.

Studiues të ndryshëm kanë zbuluar se funksionet thelbësore të mësimdhënies, të tilla si planifikimi i mësimdhënies, lehtësimi i të nxënit dhe vlerësimi i ecurisë së studentëve, janë të ngjashëm në të dy mjediset. Megjithatë, ka edhe disa funksione unike që janë specifike për çdo mjedis.

Në klasat tradicionale ballë për ballë, mësuesit kanë një rol kryesor në menaxhimin e sjelljes në klasë, ndërtimin e marrëdhënieve me nxënësit dhe dhënien e vlerësimeve të menjëhershme. Nga ana tjetër, në mjediset online mësuesit duhet të jenë më të aftë në përdorimin e teknologjisë, dizajnimin e aktiviteteve online që nxisin angazhimin dhe ndërveprimin, si dhe ofrimin e mbështetjes dhe feedback-ut të vazhdueshëm përmes mjeteve të komunikimit digjital. Sidoqoftë, studiuesit bien dakord se edhe pse funksionet thelbësore të mësimdhënies janë të ngjashme në të dy mjediset, mësuesit duhet të zhvillojnë aftësi dhe strategji të ndryshme për të qenë efektivë në çdo mjedis. Ata sugjerojnë që mësuesit duhet të marrin trajnim dhe mbështetje për t’i ndihmuar ata të përshtaten me kërkesat në ndryshim të mësimdhënies në mjediset digjitale.