10 mënyra për të angazhuar nxënësit në distancë
Në të gjithë botën, shkollat po përpiqen të jenë sa më kreative dhe të gjejnë zgjidhje për t’i mbatjur nxënësit në pozita të nxëni gjatë mbylljes së shkollave dhe kufizimeve të përgjitshme të shkaktuara nga pandemia. Shumë prej këtyre zgjidhjeve, për të mos thënë pjesa më e madhe, mbështeten në teknologji për të zhvilluar mësim online.
Kalimi i mësimdhënies në një mjedis tërësisht virtual ka sfidat e veta. Mësuesit e Connections Academy sugjerojnë të mbështetemi në bazat e mësimdhënies: komunikimi, empatia, motivimi, dhe duke i zhvilluar ato më tej. Gjithashtu, ata japin disa këshilla praktike për të angazhuar nxënësit në distancë.
1. Krijoni një mjedis komunikimi me nxënësit dhe prindërit
- Caktoni një mjedis virtual të përhershëm takimi, ku mund të përditësoni informacionin për nxënësit dhe prindërit. Mund të merrni në konsideratë Canvas, Blackboard, Moodle, ClassDojo, Padlet, Google Classroom, etj.
- Dërgoni një email apo telefononi të paktën dy herë në javë nxënësit dhe prindërit për t’i përditësuar mbi informacionin e vendosur në mjedisin virtual. Mund të përfshini detyra, instruksione, njoftime dhe informacion mbi disponueshmërinë tuaj për t’u kontaktuar.
- Përdorni aplikacione për të dërguar mesazhe të shpejta në grup. Mund të përdorni Classpager, Remind101 apo ClassParrot.
2. Merrni në konsideratë modelin e “klasës së përmbysur”
Dërgojuni nxënësve burime si: tekste, video, podcast-e etj. për të krijuar një bazë njohurish të cilat mund t’i vënë në jetë në veprimtari të ndryshme mësimore, si p.sh. diskutimet në grup. Mund të shfrytëzoni website edukative si: Khan Academy, TeacherTube, Newsela, BrainPop, Smithsonian Learning Lab. Burime të tjera mund të gjeni në Open Culture.
Shembull: Nxënësit dëgjojnë një podcast apo video mbi një temë të caktuar, pastaj angazhohen në një debat me njëri-tjetrin, duke mbrojtur argumenta pro ose kundër.
3. Krijoni tutoriale dhe mësime të shkurtra
Regjistroni veten tuaj gjatë shpjegimit të një mësimi apo çështjeje, për ta ndarë me nxënësit tuaj. Mësimet e regjistruara krijojnë mundësi për të siguruar “praninë” tuaj dhe për të angazhuar nxënësit siç do të ndodhte në klasë, pa qenë nevoja për t’i mbledhur të gjithë në të njëjtin mjedis virtual dhe në të njëjtën kohë. Disa opsione për të krijuar regjistrime janë:
• Regjistrime zanore (voiceover) në programe prezantimi multimediale;
• Mjete regjistrimi të ekranit, si Loom ose Screencast-o-Matic;
• Funksione regjistrimi në aplikacione për takime online si AdobeConnect ose Zoom;
• Regjistrime me videokamerën e një telefoni Smart ose kompjuterit.
4. Nxitni bashkëpunimin dhe diskutimin mes nxënësve
Planet e mësimit duhet të përfshijnë mundësi dhe hapësira për nxënësit për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të diskutuar në një format të gjerë për të nxitur bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ideve. Nxitini nxënësit të lexojnë dhe të komentojnë mbi punën e të tjerëve. Komunikoni pritshmëritë dhe normat të cilave përgjgijet e nxënësve duhet t’u përmbahen. Përpilojini detyrat duket përdorur dokumente që ndahen online, në mënyrë që nxënësit të mund të punojnë në grupe.
5. Ofroni pritje në “zyrë”
Çdo ditë kushtojini një orë pritjes së nxënësve por edhe të prindërve të tyre, qoftë në telefon ose në një takim online, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për t’i ndihmuar në rast nevoje. Në formatin e emailit tuaj përfshini orarin e pritjes në “zyrë” dhe vendin e komunikimit, në mënyrë që nxënësit dhe prindërit të vihen në dijeni.
6. Mundësojuni nxënësve mbështetje dhe feedback individual
Kontaktoni me nxënës që kanë nevojë për mbështetje shtesë gjatë të nxënit dhe ofrojuni instruksione të personalizuara nëpërmjet telefonatave apo takimeve online.
- Pyeteni nxënësin se cilat veprimtari mësimore parapëlqen, për të kuptuar më mirë interesat e tij.
- Pyeteni nxënësin se çfarë i duket më sfiduese.
- Drejtojini nxënësit pyetje të lidhura me temën, për të kuptuar shkallën e përvetësimit të njohurive dhe aftësimit të tij.
- Punoni bashkë me nxënësin mbi vështirësi apo pyetje që mund të kenë, për të kuptuar se çfarë mendon dhe për ta orientuar.
- Ndani me nxënësin burime të vlefshme dhe shprehuni të gatshëm për ta ndihmuar.
- Kontaktojeni nxënësin për t’i komunikuar progresin dhe arritjet e tij.
7. Krijojuni mundësi nxënësve të mësojnë nëpërmjet praktikimit
Përpiquni të mendoni për projekte të cilat nxënësit mund t’i realizojnë në shtëpitë ose në komunitetin e tyre dhe që mund të lidhen me atë që po mësojnë.
8. Mundësoni larmi veprimtarish
Mundësojuni nxënësve alternative të tjera veprimtarish si: puzzle, lojëra, projekte arti etj., duke u krijuar hapësira për të qenë sa më aktivë.
9. Vlerësoni nxënësit mbi të nxënët
Nxënësit mund të dorëzojnë detyrat apo punimet e tyre duke përdorur mjete apo aplikacione virtuale si: Google Forms, Kahoot apo Quizlet. Gjithashtu, nxënësit mund të dërgojnë video-regjistrime të vetes së tyre, nëpërmjet aplikacioneve si Flipgrid. Mësuesit, nga ana e tyre, duhet t’u sigurojnë feedback specifik, brenda një kohe të caktuar.
10. Mundësoni opsione për vetëvlerësim
Nxënësit mund të reflektojnë mbi të nxënit dhe performancën e tyre, të caktojnë objektiva dhe të krijojnë plane veprimi. Strategjitë e vetëvlerësimit përfshijnë reflektime të nxënësve, rubrika të ndryshme, organizues grafikë etj. Përgjatë procesit të të nxënit, studentët mund të nxiten të pyesin veten:
- Më parë: Cilli është objektivi im? Si mund mund ta arrij atë?
- Gjatë: A jam duke përparuar drejt arritjes së objektivit tim? A po i përmbahem planit tim? A janë efikase strategjitë e mia të të nxënit?
- Më pas: A e kam arritur objektivin tim? Sa efikas ishte plani im? Çfarë mund të bëj ndryshe herën e ardhshme?
————————————————————–
Ky artikull është publikuar për herë të parë në gjuhën angleze, në faqen Connections Academy. Klikoni këtu për të lexuar artikullin origjinal.
—————————————————————–