Çfarë mendojnë mësuesit rreth mësimdhënies gjatë vitit shkollor të pazakontë 2020-2021?

Çfarë mendojnë mësuesit rreth mësimdhënies gjatë vitit shkollor të pazakontë 2020-2021?

Viti shkollor 2020 – 2021 na gjeti me ndryshime të mëdha të cilat erdhën si pasojë e pandemisë globale COVID-19. Për këtë arsye lindi nevoja që instucionet dhe projektet me në fokus arsimin të mendonim për skenar të mundshëm për organizimin e procesit mësimor. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive së bashku me projektin ‘’Aftësi për Punë’’ hartuan Udhëzuesin për organizimin e mësimit në arsimin profesional për vitin shkollor 2020/2021 në kushtet e pandemisë Covid-19, i cili kishte si qëllim të vendoste një kornizë rregullatore për zhvillimin e procesit mësimor për vitin shkollor 2020-2021. Skenarët potencialë të sugjeruar në këtë udhëzues ishin: a) zhvillimi i mësimit në klasë në kushtet e distancimit fizik, b) mësimi i zhvilluar në mënyrë të kombinuar në klasë dhe online dhe c) mësim online në kushtet e shtëpisë.

Aplikimi i skenarëve të ndryshëm në varësi të situatës epidemiologjike pati ndikim si tek mësuesit, ashtu edhe tek nxënësit. Vojsava Delilaj, mësuese në shkollën Ali Myftiu, Elbasan, na tregon se ndryshimet e shpeshta dhe të menjëhershme që ndodhën gjatë vitit shkollor ndikuan drejtëpërdrejtë në motivimin dhe performancën e nxënësve të saj. 

‘’Vështirësia më e madhe ishte ulja e përqëndrimit të nxënësve, si dhe humbja e interesit për mësimin. Shumë prej nxënësve u fokusuan pranë bizneseve ku zhvillonin praktikat profesionale, tashmë edhe në ditët e tjera të javës. Kjo e bënte edhe më të vështirë përfshirjen e tyre në mësimin e kombinuar.’’

Sipas mësuese Vojsavës, gjatë këtij viti shkollor, është bërë një punë shumë e madhe nga mësuesit për të mbajtur gjallë interesin e nxënësve, duke përshtatur metodat e mësimdhënies me skenarin të cilin po aplikonin. Mësuese Vojsava ndan me ne disa metoda mësimdhënieje që ajo ka përdorur:

  • Përgatitja e skenarit të orës së mësimit me në fokus veprimtarinë praktike të nxënësve në përputhje me temat e zhvilluara, për të siguruar gjithpërfshirjen e tyre dhe rritjen e interesit për orën e mësimit;
  • Përgatitja e materialeve mësimore interesante, të ilustruara me foto, skema, video, të ndërthurura me pyetje etj.;
  • Angazhimi i nxënësve në detyra interaktive në përshtatje me temat mësimore si përgatitja e videove të ndryshme nga puna e tyre pranë bizneseve.

Për Enkeleda Leçaj, nëndrejtoreshë në shkollën Hamdi Bushati, Shkodër, kjo periudhë ka nxjerrë në pah brishtësinë e sistemeve arsimore, madje edhe ato që konsiderohen relativisht të qëndrueshme. Prandaj është thelbësore që inovacioni dhe kreativiteti i stimuluar nga kjo krizë të përdoren për t’i bërë sistemet arsimore më të drejta, gjithëpërfshirëse dhe elastike. Sipas saj, përpos vështirësive që kanë hasur, ky moment u ka vlejtur të gjithë aktorëve të sistemit arsimor për të reflektuar rreth përmirësimit të programeve mësimore, metodologjive të mësimdhënies dhe mjediseve arsimore. Disa nga fushat që do të vazhdojnë të prioritizohen edhe pas rikthimit të nxënësve në shkollë do të jenë të lidhura me mbështetjen e të mësuarit të pavarur të nxënësve, rritjen e aftësive dixhitale të mësuesve dhe nxënësve dhe marrëdhëniet mësues-nxënës.