Çfarë mendojnë nxënësit tanë për platformën MësoVET?

Çfarë mendojnë nxënësit tanë për platformën MësoVET?

Viti i kaluar shkollor ishte sfidues si për mësuesit ashtu edhe për nxënësit, të cilët u përballën me pamundësinë për të zhvilluar mësimin në ambjentet e shkollës, mungesën e materialeve digjitale, mungesën e infrastrukturës etj. Për t’iu përgjigjur këtyre nevojave, projekti ‘’Aftësi për Punë’’ bëri të mundur që këtë vit shkollor mësuesit e shkollave partnere të kishin një mjedis virtual të të nxënit të pasuruar me shumë materiale digjitale në funskion të mësimit të kombinuar dhe atij në distancë. Kjo i dha mundësinë nxënësve që fillimisht të njihen me të në klasë e më pas ta përdorin për studim individual.

Platforma MësoVET ka për qëllim që të krijojë një ambient ku nxënësit bëhen pjesëmarrës aktiv dhe mund të shohin përmbajtjen mësimore të renditur e të organizuar në çdo kohë dhe nga çdo pajisje. Ervin Musabelliu, nxënës i klasës së 10-të në drejtimin Elektroteknikë në shkollën Gjergj Canco, Tiranë, e ka përdorur platformën gjatë mësimit në distancë pasi mendon se materialet në lëndën Elektroteknikë 10 janë të strukturuara dhe organizuara mirë për çdo temë. Për Ervinin, studimi i materialeve mësimore digjitale ishte efektiv pasi platforma i ofronte fleksibilitet, duke I dhënë atij mundësinë që të mësonte në çdo kohë, edhe nga telefoni.

Platforma, përveç materialeve mësimore, është e pasur edhe me detyra, lojëra, forume diskutimi e kuice të llojeve të ndyshme, nëpërmjet të cilave nxënësit jo vetëm mësojnë në mënyrë aktive, por dhe argëtohen. Valbona Hila, nxënëse në klasën e 11-të në shkollën Kolin Gjoka, Lezhë, tregon se e ka përdorur platformën gjatë mësimit në distancë për lëndët Kimi dhe Ushqim dhe Pije. Mësuesit e përdornim platformën gjatë mësimit sinkron në zoom dhe asinkron, jo vetëm për të prezantuar materiale, video apo imazhe ilustruese, por duke iu kërkuar nxënësve të plotësojnë kiuce apo të dorëzojnë detyra pas përfundimit të saj.

Platforma MësoVET është e përshtatshme edhe për mësimin e kombinuar. Tani që zhvillimi i mësimit është kthyer përsëri në shkollë, platforma po përdoret nga mësuesit në klasë për të realizuar procesin mësimor. Kjo praktikë po ndiqet në disa shkolla të arsimit profesional dhe mësuesit dhe nxënësit e konsiderojnë efektive pasi mësimi i ardhur në këtë formë të re shton kuriozitetin tek nxënësit dhe rrit angazhimin e tyre në klasë. Enco Xhardja, nxënës i drejtimit TIK në shkollën Salih Çeka, Elbasan, na tregon se me rikthimin e tyre në shkollë mësuesi i tij i lëndës Marketing Digjital e përdor platformën në klasë për të ndarë me nxënësit materialet e digjitalituara në këtë kurs. Gjithashtu i sugjeron nxënësve që për të rifreskuar njohuritë e marra në klasë të aksesojnë platformën në temën përkatëse për të riparë materialet dhe për të plotësuar kuize e pyetësor. Për Encon, përdorimi i një platforme të vetme është me vlerë pasi nuk i konfuzon nxënësit, por i shtynë ata që ta eksplorojnë atë edhe më shumë.