Çfarë synon orientimi në karrierë në shkollën profesionale Kristo Isak?

Çfarë synon orientimi në karrierë në shkollën profesionale Kristo Isak?

Orientimi për karrierën synon të informojë dhe këshillojë nxënësi për të marrë vendimin e duhur për arsimimin, zhvillimin profesional dhe punësimin në tregun dinamik të punës, në bazë të aftësive dhe interesave të tyre. Për këtë janë zhvilluar një sërë aktivitetesh me qëllim mirëmenaxhimin e karrierës të gjithësecilit, pasi ajo është unike dhe dinamike.

Qëllimi i këtyre aktiviteteve është që nxënësit të identifikojnë dhe hulumtojnë qëllimet e karrierës, zhvillojnë mendimin kritik si dhe të marrin vendimin përfundimtar për punësim të menjëhershëm, si qëllimi kryesor i shkollave profesionale, ose arsimimin e mëtejshëm.

Çfarë aktivitesh apo instrumentësh keni përdorur për orientimin në karrierë?

Një ndër aktivitetet për integrimin në tregun e punës është vetëvlerësimi, i cili ndihmon individin në krijimin e qëndrueshmërisë në lidhje me aspektet profesionale dhe shoqërore. Për këtë janë përdorur pyetësor të standardizuar, të cilët më pas janë analizuar për çdo nxënës.

Hulumtimi i tregut të punës synon të njohë prirjet e zhvillimit të tij, në mënyrë që nxënësit të orientohen drejt profesioneve që kërkohen. Ata janë aftësuar për të kërkuar njoftimet për vendet e punës në mënyrë individuale (përveçse postohen në rrjetet sociale të shkollës dhe afishohen në këndin e punësimit) si  dhe për të aplikuar nëpërmjet dokumenteve bazë CV dhe letër interesi. Gjithashtu janë parapërgatitur për të realizuar një intervistë të suksesshme me punëdhënësin.

Vizitat në biznese (për nxënësit që nuk e kanë realizuar praktikën në biznes) kanë qënë të shumta me qëllim që nxënësit të shohin nga afër vendin e punës, pajisjet që përdoren dhe teknologjinë përkatëse.

Historitë e suksesit kanë qënë një tjetër aktivitet interesant për të nxitur dhe motivuar nxënësit në vendimmarrjen e tyre.

Së fundmi përfaqësues nga Zyra e Punës janë bërë pjesë e takimeve me maturantët për t’i informuar në lidhje me regjistrimin dhe procedurën e punësimit.

Lexoni këtu: Udhëzuesi për karrierën.