Cilësitë kryesore të një mësuesi efektiv
Aftësitë e nevojshme për mësimdhënie efektive përfshijnë më shumë sesa thjesht të pasurit ekspertizë në një fushë akademike. Mësuesit duhet të jenë në gjendje të ndërveprojnë me nxënësit dhe t’i ndihmojnë ata për ta parë botën me një prespektivë të re. Por kjo nuk është një punë e lehtë! Për ta arritur këtë, mësuesit duhet të kenë disa cilësi të përbashkëta. Ata duhet të jenë të përgatitur dhe të kenë një qëndrim pozitiv, të vendosin pritshmëri të qarta dhe të drejta për nxënësit e tyre, të jenë të durueshëm dhe t’i vlerësojnë ata rregullisht. Gjithashtu, mësuesit duhet t’i përshtasin strategjitë e tyre të mësimdhënies sipas nevojave të nxënësve.
Ja disa cilësi që duhet të ketë çdo mësues:
Qëndrim pozitiv
Qëndrimi juaj pozitiv do t’i mbajë nxënësit të angazhuar dhe të motivuar në mësim. Kushtojini vëmëndje gjetjes së mënyrave të reja për t’i motivuar nxënësit dhe mos u ndikoni nga ideja që mësuesi duhet të jetë autoritar apo t’i kontrollojë nxënësit nëpërmjet notës. Mësimdhënia bëhet më e bukur kur ju i trajtoni nxënësit tuaj si shokë e kolegë. Edhe pse të mësuarit dhe mësimdhënia janë sfiduese, kjo nuk do të thotë që nuk mund të argëtoheni në klasë duke përdorur mënyra të reja dhe novatore të mësimdhënies në mënyrë që nxënësit ta shohin me interes lëndën tuaj.
Jini gjithmonë të përgatitur
Jini gjithmonë të përgatitur për temën që po shpjegoni. Rishikoni terma apo koncepte për të cilat keni mëdyshje apo paqartësi. Mendoni për një strategji efektive për të shpjeguar materialin me të cilin po punoni në mënyrë që nxënësit ta kuptojnë sa më mirë. Shkruani paraprakisht një përmbledhje të mësimit, mbani shënime, krijoni vizualizime, skema, diagrame për të lehtësuar procesin e shpjegimit. Mos prisni deri ditën që keni mësim!
Jini të organizuar
Bëni një plan të qartë të asaj çka dëshironi të shpjegoni. Detyra juaj si mësimdhënës është të shpjegoni thelbin e mësimit dhe konceptet kryesore. Duke qenë se nuk ka kurrë kohë për të mësuar gjithçka, zgjidhni konceptet më të rëndësishme dhe tregoni se si lidhen ato me ato çfarë mund të kenë mësuar më parë ose çfarë do të mësojnë në të ardhmen nxënësit, qoftë në lëndën tuaj ose të tjera. Përfundoni çdo orë mësimore me një përfundim për temën e trajtuar.
Jini të qartë
Mësuesit efektivë duhet të shpjegojnë ide komplekse në mënyra të thjeshta. Gjithashtu, ata duhet të shpjegojnë terminologji dhe koncepte në mënyrë që nxënësit të jenë të rrjedhshëm kur flasin për disiplinen e tyre. Shumë koncepte mund të shpjegohen në mënyrë më efektive me mjete vizuale, si: diagrame, vizatime, tabela, slide, etj. Sigurohuni që ato të jenë mjaft të mëdha për t’u parë dhe të qarta për t’u lexuar.
Aktivizojini nxënësit
Stimulojini nxënësve tuaj të menduarin. Në qoftë se ata nuk përdorin në mënyrë aktive konceptet që po u mësoni, do të kujtojnë vetëm një pjesë të vogël të tyre. Merrni parasysh të gjeni pak kohë në klasë për aktivitete të tjera përveç leksioneve tradicionale, si diskutime ose seancave të pyetjeve dhe përgjigjeve. Gjithashtu ushtrimet për zgjidhjen e problemeve në grupe të vogla mund të zgjasin jo më shumë se disa minuta, por i ndihmojnë shumë nxënësit ë kuptojnë materialin që po shpjegohet.
Jini të duruar
Mos harroni se si është të mësosh diçka për herë të parë. Jepuni nxënësve tuaj kohë të përpunojnë informacionin dhe jepini mundësinë të bëjnë sa më shumë pyetje. Tregojini atyre që është mirë të bëjnë gabime dhe se mund të të mësojnë prej tyre.
Jini të drejtë
Jini një mësues që vendosni pritshmëri të qarta për nxënësit tuaj. Nëse ulni notën apo ulni pikë në një pyetje provimi, nëse penalizoni dikë për një detyrë të vonuar, duhet të jeni në gjendje të shpjegoni pse morët këtë vendim. Vendosni rregulla të qarta që në fillim për lëndën tuaj, dhe zbatojini ato në mënyrë të barabartë dhe të qëndrueshme, përndryshe do të humbni besueshmërinë.
————————————————————–
Ky artikull është publikuar për herë të parë në gjuhën angleze, në faqen CNDLS. Klikoni këtu për të lexuar artikullin origjinal.
—————————————————————–