“Ç’kemi?”: Çfarë kemi mësuar nga nxënësit e arsimit profesional

“Ç’kemi?”: Çfarë kemi mësuar nga nxënësit e arsimit profesional

“Ç’kemi?” është një rubrikë e nisur nga S4J në muajin janar, e cila konsiston në takime online 3 herë në javë të stafit të S4J me nxënës të shkollave partnere të projektit. Ajo synon njohjen më të thelluar me këta nxënës, me sfidat apo vështirësitë që ata hasin, marrëdhënien me mësuesit, mundësitë e përmirësimit të përvojës në shkollë dhe më praktikë, interesat dhe planet e tyre për të ardhmen.  Në këtë mënyrë, arrihet të kuptohet nëse oferta e AFP-së është vërtet relevante për përfituesit e saj, nxënësit, dhe hapat që duhet të merren për ta përmirësuar. 

Dy nxënës nga shkollat partnere të projektit gjatë bisedave në “Çkemi?”

Deri tani janë realizuar 32 takime, me 15 djem e 17 vajza. Po ndajmë me ju gjetjet kryesore të bisedave, duke shpresuar të nxisin reflektime dhe në masa të mëtejshme nga ana e mësuesve apo shkollës. 

  • Përgjithësisht nxënësit e vlerësojnë shumë praktikën profesionale dhe e shohin si elementin që i jep më shumë përparësi AFP në krahasim me arsimin e përgjishëm. 
  • 3 nxënës kanë ndryshuar praktikën në biznes për arsye të mungesës së përkushtimit nga ana e kompanisë apo për faktin se ndiheshin sikur nuk po bënin asgjë konkrete në punë. 
  • Njësia e Zhvillimit apo Qendra e Karrierës dhe funksionet e saj nuk njihen nga pjesa më e madhe e nxënësve. Vetëm 4 nxënës u shprehën se e njohin që ekziston si ambient në shkollë, por pa pasur përfitim nga shërbimet e saj. 
  • 16 nxënës tregojnë se mësimin online e zhvillojnë me Whatsapp, ndërsa 14 prej tyre njohin dhe përdorin platformat digjitale të mësimdhënies si MësoVET apo akademi.al. 
  • Disa nxënës të TIK janë shprehur se kurrikula dhe pajisjet që kanë në dispozicion në shkollë nuk janë të përditësuara. 
  • Duket se nxënësit e njohin gjuhën angleze (30 prej tyre), ndërsa 15 njohin gjuhën gjermane, pjesa më e madhe sepse planifikojnë të transferohen në Gjermani pas shkollës.  
  • Shumica e nxënësve shprehen se do të donin të kishte më shumë aktivitete të organizuara nga shkolla, si konkurse, ku ata të shprehin talentet e tyre dhe të vendosen në konkurrim me nxënës të tjerë.