Ç’mendim kanë nxënësit?

Ç’mendim kanë nxënësit?

Në grupin “Frymëso” kryesisht shkëmbejmë përvoja dhe opinione mes mësuesish dhe profesionistësh mbi metodat më efikase të mësimdhënies. Po cili është këndvështrimi i nxënësve? Për të mësuar më shumë kemi zhvilluar një intervistë me Daniel Boçi, nxënës i vitit të tretë, drejtimi TIK në shkollën “Gjergj Canco” në Tiranë.

Daniel Boçi

Çfarë mënyrash efikase mendon se duhet të perdorin mësuesit për t’i aktivizuar nxënësit dhe t’i përgatitur ata për tregun e punës?

Një orë mësimore që përfshin shumë aspekte vizuale dhe shembuj konkret është e garantuar që do të jetë më efektive sesa kur thjesht nxënësit i duhet të imagjinojë situatat të cilat po shpjegohen. Jo të gjithë nxënësit janë të njëjtë, disa kanë aftësi imagjinuese me të avancuara se të tjerët. Kjo krijon atë ndarjen midis nxënësve që reflektohet edhe në vlerësim. Por nuk ka përse të ndodh kështu. Duke pasur një shembull konkret, ardhur në formën e imazheve, rasteve praktike, situatave të jetës së përditshme, për nxënësin është më e thjeshtë dhe të dhënat që ai merr janë lehtësisht të memorizueshme. Kjo rezulton në performanca më të larta të nxënësve dhe angazhim të nxënësve pasiv ose jo të motivuar. Duke qënë se në tregun e punës do të përballemi me probleme konkrete, nxënësit do ta kenë shumë më të lehtë zgjidhjen e tyre nëse u është mësuar se si te veprojnë në shkollë nëpërmjet situatave konkrete. Në drejtimin ku unë studioj mësuesit mund të përdorin programe 3 dimensionale në gjeometri, shembuj të databazave në bazat e të dhënave, ose zgjidhjen e problemeve me kod në programim. Kjo është një nga mënyrat që unë mendoj do të përgatisnin të gjithë nxënësit për tregun e punës.


A e sheh të nevojshme të pasurit e një hapësire të përbashkët ku hidhen dhe testohen ide novatore të nxënësve të shkollës?

Kësaj pyetjeje kam dëshirë t’i përgjigjem bazuar në një eksperiencë personale. Në vitin 2019 krijova një plan biznesi i cili në princip kishte idenë e krijimit të një sistemi online transportimi të pasagjereve. Kjo ide në planin financiarin të saj kishte si burime të ardhurash kryesore marketingun. Duke u bazuar në kërkime që shtete të tjera kishin zhvilluar, marketingu ishte një opsion solid si burim të ardhurash. Por në Shqipëri kjo gjë nuk ishte e realizueshme. Unë nuk e kisha marr parasysh këtë, dhe si rezultat ideja ime dështoi. Prandaj jam i mendimit se një hapësirë e përbashkët ku hidhen, konsultohen dhe testohen idetë është e nevojshme, pasi të krijon mundësinë të marrësh këshilla dhe informacione nga bashkëmoshatarë dhe mësues në lidhje me profesionin. Gjithashtu, këtë hapësirë e shoh edhe si një mundësi për investitorë të ndryshëm, të cilët mund të gjejnë ide nga nxënës novatorë.


A mendon se njohuritë dhe aftësitë e marra në shkollë të përgatisin për t’u futur menjëherë në tregun e punës?

Diçka që sot përdoret gjerësisht në treg, nesër mund të mos njihet aspak. Tregu i punës në fushën e TIK avancon me hapa shumë të shpejtë duke e bërë të vështirë adaptimin e vazhdueshëm të skeletkurrikulës me të. Pra me pak fjalë, jam i mendimit se vetëm njohuritë e marra në shkollë nuk të përgasisin mjaftueshëm për tregun e punës, sepse është e pamundur të përgatitesh për një treg që është aq lehtësisht i ndryshueshëm.