Dialog shkollë-biznes për një AFP të orientuar nga tregu i punës

Dialog shkollë-biznes për një AFP të orientuar nga tregu i punës

Gjatë muajit nëntor, me mbështetjen e projektit “Aftësi për Punë”, ofruesit kryesorë të AFP-së (si publikë ashtu edhe jo-publikë) në pesë rajone të Shqipërisë u takuan me përfaqësues të industrive të përzgjedhura dhe me aktorët kryesorë të sistemit të AFP-së. Ky është viti i dytë i zbatimit të platformës së dialogut të strukturuar për zhvillimin e aftësive në nivel rajonal, duke synuar rritjen e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit midis institucioneve të AFP-së dhe sektorit privat.

Fakte të shpejta për tryezat e dialogut të këtij viti:

  • 13 tryeza;
  • 10 grupe industrish të ndryshme;
  • 188 pjesëmarrës;
  • 68 përfaqësues të biznesit;
  • 5 takime virtuale për shkak të masave parandaluese të COVID-19.

Gjatë tryezave të dialogut, u vlerësua përputhshmëria e ofertës arsimore rajonale me kërkesat e tregut të punës, u identifikuan nevojat për aftësi dhe boshllëqet në sektorë të caktuar të nivelit rajonal.

Raportet me gjetjet u ndanë me pjesëmarrësit, dhe aktualisht ofruesit e AFP po diskutojnë se si këto rezultate do të ndikojnë në ofertën e tyre vitin e ardhshëm akademik. Kjo qasje synon të rrisë cilësinë e ofertës së tyre dhe të kontribuojë drejt zhvillimit të aftësive të orientuara nga tregu i punës. Dialogu i strukturuar gjithashtu kontribuon në rritjen e besimit dhe angazhimit të ndërsjelltë midis aktorëve kryesorë në botën e punës në nivelin rajonal.