Digjitalizimi i Arsimit Profesional në Shqipëri

Digjitalizimi i Arsimit Profesional në Shqipëri

Gjatë periudhës mars 2022 – janar 2023, projekti “Aftësi për Punë” ka zhvilluar një sërë aktivitetesh që kanë kontribuar në zhvillimin e kapaciteteve të shkollave profesionale partnere me qëllim aplikimin e formave të reja të mësimdhënies, ku kryefjala është teknologjia dhe digjitalizimi i procesit mësimor. Mbështetja e shkollave ka konsistuar në zhvillimin e kapaciteteve digjitale të mësuesve nëpërmjet pjesëmarrjes në paketën e trajnimeve ‘Pedagogjia Digjitale’’, digjitalizimin e materialeve mësimore në 5 drejtime të ndryshme, si dhe prezantimin e rolit të Personit Kyç të Digjitalizimit në shkollat partnere të Projektit “Aftësi për Punë”. Ndërsa mbështetja e institucioneve vendimmarrëse ka konsistuar në zhvillimin e një “Udhërrëfyesi për modernizimin dhe digjitalizimin e sistemit të AFP-së në Shqipëri”.

Aplikimi i aftësive pedagogjike dhe digjitale të fituara gjatë trajnimeve lehtësohet falë aksesit që mësuesit kanë në materiale mësimore digjitale. Prandaj, gjatë kësaj periudhe, u angazhuan 34 mësues, 5 ekspertë pedagogjikë dhe 6 ekspertë digjitalizimi për hartimin dhe digjitalizimin e materialeve mësimore interaktive, në përputhje me skelet-kurrikulën dhe objektivat e përcaktuara mësimore. Kanë përfunduar 55 lëndë në 5 drejtimet respektive: Teknologji Ushqimore, Ekonomi Biznes (profili Administrim zyre), Shërbim mjetesh transporti (SHMT), Mekanikë dhe TIK. Përmbajtja mësimore digjitale është e disponueshme në platformën MësoVET pas shkurtit 2023.

Një risi e këtij viti akademik ishte dhe prezantimi i rolit të “Personit Kyç të Digjitalizimit” në shkollat partenere të projektit “Aftësi për Punë”. Ky rol ka për qëllim të krijojë të gjitha kushtet dhe ndërlidhjet e nevojshme tek aktorët e përfshirë në mënyrë që përdorimi i teknologjisë në edukim të brendësohet nga të gjithë. Në momentin kur institucionet janë të pajisura me infrastrukturën e nevojshme TIK, Personi Kyç i Digjitalizimit i jep një dimension tjetër përdorimit të teknologjisë, si në mësimdhënie ashtu dhe në menaxhimin e institucionit, si dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës dhe aseteve TIK, duke synuar qëndrueshmërinë.

Gjatë periudhës mars – qershor 2022 nën udhëheqjen e AKPA dhe AKAFPK, me mbështetjen e projekteve S4J dhe SD4E dhe të ndihmuar nga Prof. Urs Gröbhiel, Drejtor i Rrjetit të Inovacionit Arsimor Zviceran (SNBI) në Zvicër u hartua “Udhërrëfyesi për modernizimin dhe digjitalizimin e sistemit të AFP-së në Shqipëri”. Ky Udhërrëfyes do të shërbejë si një bazë për marrjen e një vendimi të informuar në nivel ministror mbi shfrytëzimin e qëndrueshëm të teknologjive të informacionit dhe komunikimit (TIK) për të forcuar sistemin shqiptar të AFP-së. Në këtë kuadër, grupi i punës ka vijuar me hartimin e një Plan Veprimi për Modernizimin dhe Digjitalizimin e Sistemit të AFP-së në Shqipëri. Gjithashtu është punuar dhe me krijimin e një pyetësori, i cili do t’i dërgohet të gjitha shkollave dhe qendrave të AFP-së me anë të së cilës do të bëhet një vlerësim i situatës aktuale për secilën prej tyre, si dhe do të identifikohen planet dhe qëllimet e tyre në kuadër të modernizimit dhe digjitalizimit.

“Udhërrëfyesin për modernizimin dhe digjitalizimin e sistemit të AFP-së në Shqipëri” mund ta gjeni si më poshtë: