Ditët e hapura në bashkëpunim me biznesin

Ditët e hapura në bashkëpunim me biznesin

Pas disa muajsh pamundësie për të zhvilluar aktivitete në terren, ofruesit partnerë të projektit “Aftësi për Punë” organizuan “Ditët e hapura” ku hapën dyert për nxënësit e shkollave 9-vjeçare, bizneset, partnerë dhe bashkëpunëtorë. Tashmë sektori privat po kontribuon në promovimin e shkollave profesionale si dhe në orientimin në karrierë të nxënësve.

Më poshtë po ju prezantojmë shkurtimisht me dy nga këto aktivitete.

Shkolla “Gjergj Canco” zhvilloi në maj një ditë të hapur me temë “Vajzat në teknologji”, ku fokusi kryesor ishte promovimi i drejtimit TIK tek nxënësit e shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit (shkolla “Fan Noli” dhe shkolla “E Kuqe”), kryesisht vajza. Nxënësit u njohën me stafin e shkollës, nxënësit dhe projektet e tyre, drejtimet, laboratorët modernë si dhe zhvilluan orë të hapura me 4 kompani që operojnë në fushën e TIK (Albanian Business Partner, New Media Communications, Iceberg Communication & Dominusoft), 3 prej të cilave përfaqësoheshin nga femra. Përveç kësaj, nxënësve të klasës së 11-të të shkollës “Gjergj Canco” iu dedikua një orë orientimi dhe këshillimi në karrierë nga përfaqësuesit e biznesit, ku u fol rreth mundësive për praktika profesionale afatgjata dhe punësim pranë kompanive më prestigjoze në kryeqytet.

Shkolla “Kolin Gjoka” hapi dyert me një aktivitet me shumë miq e bashkëpunëtorë. Shkolla priti nxënës të shkollave 9-vjeçare, ish-nxënës, prindër, biznese, përfaqësues të Drejtorisë Rajonale të Punësimit dhe Bashkisë Lezhë e shumë aktorë të tjerë rajonalë.

Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe prindërit u informuan më shumë rreth arsimit profesional, drejtimet që ofron shkolla, infrastrukturën dhe kompanitë partnere të shkollës. Gjatë aktivitetit u zhvillua edhe panairi i ushqimeve i përgatitur nga nxënësit e shkollës në drejtimet Hoteleri-Turizëm dhe Teknologji Ushqimore. Risi këtë vit ishte certifikimi i praktikantëve më të mirë në praktikat e realizuara në bizneset më të njohura të rajonit, në bashkëpunim me instruktorët në kompani. Disa nga kompanitë e pranishme ishin: agroturizmi “Mrizi i Zanave”, restorant “Rapsodia”, restorant “Ara”, Rafaelo Resort, restorant “Detari”, Hoteli i Gjuetisë si dhe Posta Shqiptare, filiali Lezhë.