
Drejt institucioneve të forta të AFP: Trajnim kombëtar për ciklin e planifikimit dhe monitorimit institucional
Projekti “Aftësi për Punë” (S4J) në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), ka përmbyllur me sukses një seri trajnimesh kombëtare, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP). Organizuar gjatë muajve mars dhe prill, këto trajnime u fokusuan në Ciklin e Planifikimit dhe Monitorimit Institucional, me synimin të përmirësojnë efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e shkollave profesionale në të gjithë vendin.
Sesionet e trajnimit, të moderuara nga një ekip ekspertësh të përbërë nga Prof. Asoc. Dr. Semiha Loca, Dr. Lediana Xhakollari, Irma Semini dhe Gertian Bajraktari, mbuluan tema thelbësore që janë kritike për funksionimin e suksesshëm të institucioneve të AFP-së. Pjesëmarrësit u njohën me teknikat dhe strategjitë e planifikimit vjetor dhe afatmesëm, si dhe u trajnuan në metodologjitë e monitorimit të planeve vjetore dhe afatmesme. Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të AKPA-s në mbështetjen dhe monitorimin e proceseve të planifikimit në shkolla, duke siguruar që këto institucione të jenë të pajisura me mjetet e nevojshme për të arritur objektivat e tyre.
Ky cikël trajnimesh jo vetëm që rriti njohuritë e pjesëmarrësve, por gjithashtu krijoi një platformë për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet shkollave profesionale.












