Drejt punësimit: Bashkëpunime të reja me kompani prestigjoze

Drejt punësimit: Bashkëpunime të reja me kompani prestigjoze

Shkolla “Gjergj Canco” dhe kompania “Timak”

Këtë vit shkollor, shkolla “Gjergj Canco” nisi bashkëpunimin me kompaninë Timak, e cila ka pranuar deri tani 12 nxënës për praktika profesionale. Timak është ndër kompanitë kryesore në prodhimin e makinerive dhe superstrukturave duke ofruar shërbime të një cilësie të lartë në 16 shtete. Ajo është aktive në katër fusha kryesore të biznesit: prodhimin e pjesëve për pajisjet diellore, ndërtim-makineri për rrugët, prodhimin e makinerive për bashkitë dhe prodhimin e pajisjeve dhe makinerive për autostradat.

Themeluesja e kompanisë, Arjeta Puca, është ndër të rrallat femra që drejtojnë një biznes të tillë dhe dëshiron të punësojë sa më shumë femra. Ndër to është edhe Eliana, nxënëse e TIK në shkollën “Gjergj Canco”, e cila po zhvillon praktikën profesionale pranë Timak si Graphic Designer. Në bisedën tek emisioni “Dita ime” në A2 CNN, Arjeta dhe Mirela Sarja, Koordinatore e Marrëdhënies me Biznesin pranë shkollës, flasin mbi bashkëpunimin e suksesshëm shkollë-biznes.

“Kompania jonë ka shumë nevojë për profesionistë, prandaj kemi dëshirë që ata të fitojnë eksperiencë pranë kompanisë sonë e të mos jemi gjithmonë në kërkim. Ne duam të punësojmë sa më shumë vajza, sepse ato janë më detajiste dhe bëjnë një punë më të pastër. Jam shumë e kënaqur nga nxënësit e shkollës; unë jam kthyer nga Turqia që të kontribuoj për vendin tim, dhe kur shoh nxënës të tillë lumturohem jashtë mase”,

thotë Arjeta Puca.

Shkolla Teknike Ekonomike Tiranë dhe kompania “Remax”

Kompania prestigjoze Remax Koncept i është bashkuar bizneseve partnere të Shkollë Teknike Ekonomike. Ajo është franchise e kompanisë Real Estate Nr. 1 në botë – REMAX dhe fokusohet në konsulencën mbi shitblerjen dhe vlerësimin e pronave të patundshme në të gjithë Shqipërinë dhe në Kosovë. Prej 2018, vizioni i Remax Koncept është të ofrojë konsulencë cilësore dhe shërbim profesional në këtë fushë, duke u investuar shumë në zhvillimin dhe trajnimin e stafit. Në këtë kuadër, kompania është investuar edhe në trajnimin përmes praktikës profesionale për 38 nxënës nga drejtimi Ekonomi-Biznes, profili Tregti. Modulet e praktikës profesionale të ndjekura nga nxënësit janë përshtatur në një program kapacitimi të zhvilluar sipas standardeve ndërkombëtare.

Për më tepër, në emisionin “Dita ime” në A2 CNN flasin Elona Hoxha, Koordinatore e Marrëdhënies me Biznesit pranë shkollës, Roni Shahini dhe Xhuliano Pole, nxënës praktikantë dhe Juliana Nela, përfaqësuese e Remax Koncept.

“Arsyet kryesore që ne vendosim në dispozicion të praktikantëve stafin, zyrat dhe kohën tonë, janë së pari emancipimi i tregut me një shërbim që është i ngjashëm ose i njëjtë me atë të vendeve të rajonit, së dyti edukimi i brezit të ri me një profesion relativisht të ri në treg, dhe së fundi mundësia për të evidentuar individë me parametra të mirë dhe dëshirë për të punuar dhe e gjejnë veten në këtë sektor, duke filluar procesin e rekrutimit të tyre. Nga shkolla kemi evidentuar elementë shumë të mirë që sjellin një frymë të re dhe sugjerime të reja, dhe së shpejti do të nisim edhe me punësimin e tyre”,

thotë Juliana Nela.