Fjalën e kanë nxënësit!

Fjalën e kanë nxënësit!

Ç’kemi?” është një rubrikë e nisur nga “Aftësi për Punë” në muajin janar, e cila konsiston në takime online 3 herë në javë të stafit të S4J me nxënës të shkollave partnere të projektit. Ajo synon njohjen më të thelluar me këta nxënës, me sfidat apo vështirësitë që ata hasin, marrëdhënien me mësuesit, mundësitë e përmirësimit të përvojës në shkollë dhe më praktikë, interesat dhe planet e tyre për të ardhmen.  Në këtë mënyrë, arrihet të kuptohet nëse oferta e AFP-së është relevante për përfituesit e saj, nxënësit, dhe hapat që duhet të merren për ta përmirësuar. 

Deri tani janë realizuar 50 takime me nxënës të përzgjedhur në mënyrë rastësore. Po ndajmë me ju gjetjet kryesore të bisedave, duke shpresuar të nxisin reflektime.

  • Përgjithësisht nxënësit e vlerësojnë shumë praktikën profesionale dhe e shohin si elementin që i jep më shumë përparësi AFP në krahasim me arsimin e përgjishëm.
  • Disa nxënës kanë ndryshuar praktikën në biznes për arsye të mungesës së përkushtimit nga ana e kompanisë apo për faktin se ndiheshin sikur nuk po kontribuonin me diçka konkrete në punë.
  • Njësia e Zhvillimit dhe funksionet e saj nuk njihen nga pjesa më e madhe e nxënësve. Një numër i ulët nxënësish u shprehën se e njohin që ekziston si ambient në shkollë, por pa pasur përfitim nga shërbimet e saj.
  • Shumica e nxënësve tregojnë se mësimin online e zhvillojnë me Whatsapp.
  • Disa nxënës të TIK kanë shprehur dëshirën që kurrikula dhe pajisjet që kanë në dispozicion të jenë përditësuara.
  • Duket se nxënësit e njohin gjuhën angleze dhe gjuhën gjermane; këtë të fundit kryesisht sepse planifikojnë të transferohen në Gjermani pas shkollës.
  • Shumica e nxënësve shprehen se do të donin të kishte më shumë aktivitete të organizuara nga shkolla, si konkurse, ku ata të shprehin talentet e tyre dhe të vendosen në konkurrim me nxënës të tjerë.

Por jo vetëm kaq. Nga këto biseda ekipi i “Aftësi për Punë” është njohur edhe me talente të reja, një prej të cilëve është edhe Jusuf Rrustaj, nxënës i shkollës profesionale “Gjergj Canco”. Ndër të tjera, Jusufi ka pasion robotikën dhe ka zhvilluar një projekt shumë interesant: robotin dezinfektues anti-COVID për ambientet e shkollës. Njihuni me Jusufin dhe pasionet e tij në intervistën më poshtë.

Kejsi dhe Mario, dy nxënës të shkollave partnere gjatë takimeve online me ekipin e S4J