
Frymëso: Një komunitet online për AFP

Nga muaji shtator 2020, projekti “Aftësi për Punë” ka mundësuar grupin “Frymëso” në Facebook, një komunitet online për të nxitur komunitetet e praktikës për arsimin dhe formimin profesional në Shqipëri. Kjo iniciativë lindi nga nevoja e mësuesve dhe profesionistëve të tjerë të AFP për t’u lidhur me njëri-tjetrin në një kohë kur ata po përballen me sfida në kombinimin e metodave të ndryshme të të nxënit.

Vojsava Delilaj është mësuese tek shkolla profesionale “Ali Myftiu” në Elbasan. Ajo ka mbi 16 vite eksperiencë pune si mësuese në arsimin profesional, pas 14 vitesh si Inxhiniere Mekanike në prodhim.
Mësuese Vojsava tregon sfidat që ka hasur gjatë mësimdhënies në distancë dhe mbështetjen që ka gjetur nga grupi “Frymëso”.
“Vetë emri i grupit “Frymëso” do të thotë frymëzim. Falë tij, mësuesit e instruktorët e arsimit profesional nuk janë më vetëm në sfidën e vështirë të tyre, ata tashmë kanë një komunitet dhe kjo nuk është pak.”
Vojsava Delilaj

Ky komunitet u jep tashmë mundësinë mësuesve dhe instruktorëve të AFP-së të vihen në kontakt me njëri-tjetrin më lehtësisht, të ndajnë eksperienca dhe të diskutojnë rreth problematikave që hasen gjatë vitit shkollor, pa qenë nevoja që të jenë miq në rrjete sociale.
“Unë jam shumë aktive në grup, pasi më frymëzon me atë çka anëtarët e tij realizojnë në përditshmërinë e tyre, mënyrën si e sjellin, vlerësimin që i bëjnë njeri-tjetrit, mbështetjen për kreativitet, bashkëpunim, dashurinë për profesionin dhe dëshirën për të pasur një performancë dinjitoze,” thotë mësuese Vojsava.
Mësuesit e arsimit profesional janë frymëzues nëpërmjet asaj që ata sjellin në këtë komunitet online, pasqyrimi i aktiviteteve profesionale, publikimi i arritjeve ditore e javore, informacione të rëndësishme, dhe aktivitete si ato të zhvilluara gjatë Javës Europiane të Aftësive 2020.

“Kjo shihet qartë tek mësuesit e rinj, të cilët nuk ngurrojnë, por janë pjesë e rëndësishme e këtij komuniteti, të motivuar e të vlerësuar nga kolegët me më shumë përvojë. Ndjej mirënjohje të ndërsjelltë në këto komunikime.”
Vojsava Delilaj
Një pjesë e mirë e mësuesve, pavarësisht moshës, pozicionit apo formimit profesional, janë të përfshirë në rrjete sociale dhe të përditësuar me teknologjinë, të cilën e kanë bërë pjesë të rëndësishme në mësimdhënie. Sigurisht infrastruktura e munguar shpesh e bën këtë më të vështirë.
“E rëndësishme është që këtë teknologji e këtë përfshirje në rrjete sociale mësuesit ta shfrytëzojnë për rritjen e performancës në mësimdhënie dhe sigurimin e gjithëpërfshirjes, për të marrë e për të dhënë në mënyrë të sinqertë informacione të vlefshme. Detyrë e tyre parësore është motivimi, pasqyrimi i vlerave e cilësisë së mësimdhënës dhe projektimi i këtyre vlerave tek më të rinjtë, për të mbështetur kështu zhvillimin e mëtejshëm,” thotë mësuese Vojsava.
Projekti “Aftësi për Punë” ka krijuar edhe një cikël videosh në kanalin YouTube të projektit, duke shfaqur praktikat më të mira të mësuesve që përdorin metoda novatore të të nxënit, si dhe mesazhet dhe shqetësimet e tyre, për të frymëzuar dhe për të nxitur diskutime në grup.