Arsim dhe formim profesional më cilësor përmes fuqizimit të Njësisë së Zhvillimit

Arsim dhe formim profesional më cilësor përmes fuqizimit të Njësisë së Zhvillimit

Që në fazën e parë, projekti “Aftësi për Punë” ka mbështetur krijimin e Njësive të Zhvillimit në institucionet partnere. Tashmë qëllimi është që këto struktura të konsolidohen dhe të aftësohen për të planifikuar më mirë dhe për të kontribuar në cilësinë dhe përmirësimin e vazhdueshëm të AFP-së. Për këtë qëllim, S4J i ka mbështetur ofruesit partnerë në zhvillimin e planeve të veprimit për aktivitetet e Njësive të Zhvillimit.

Gjatë muajve tetor dhe nëntor, institucionet partnere të S4J organizuan workshop-e me Njësitë e Zhvillimit, me pjesëmarrjen e koordinatorëve të NJZH dhe nëndrejtorët e institucioneve. Këto workshop-e synonin theksimin e rolit të Njësisë së Zhvillimit në suksesin e institucionit të AFP-së, rritjen e unitetit dhe bashkëpunimit brenda strukturës dhe propozimin e aktiviteteve për vitin akademik 2020-2021. Koordinatorët e NJZH të secilit ofrues diskutuan statusin e secilit funksion dhe propozuan bashkërisht planet e punës me aktivitetet, treguesit e performancës, përgjegjësitë, monitorimin dhe burimet. S4J lehtësoi këto workshop-e dhe siguroi materiale mbështetëse, si manualin e Njësisë së Zhvillimit.

Planet e veprimit të Njësive të Zhvillimit, të finalizuara në fund të nëntorit, janë në përputhje me planet afatmesme dhe vjetore të ofruesve të AFP-së, gjë që ndihmon në arritjen e objektivave, misionit dhe vizionit të saj.