Gjurmimi i të diplomuarve
Përpara fundit të majit të çdo viti akademik, mësuesit, instruktorët dhe stafi administrativ i ofruesve partnerë të S4J përfshihen në një proces shumë të rëndësishëm: gjurmimin e të diplomuarve. Procesi realizohet duke zbatuar metodologjinë e Gjurmimit, të pilotuar për herë të parë me mbështetjen e projektit në 2017 (klikoni këtu për manualin e Gjurmimit, vetëm në gjuhën shqipe). Që atëherë, janë gjurmuar tre grupe të diplomuarish (2016, 2017, 2018).
Procesi i gjurmimit është i domosdoshëm që institucionet e AFP-së të kuptojnë përqindjen e profesionistëve të rinj që kanë hyrë në tregun e punës një vit pas përfundimit të shkollës profesionale ose pas përfundimit të një trajnimi në QFP. Bazuar në këto të dhëna, institucionet e AFP-së janë gjithashtu në gjendje të vlerësojnë performancën e tyre për sa i përket përgatitjes së profesionistëve të aftë për tregun e punës.
Rezultatet e studimit të fundit të gjurmimit tregojnë një tendencë premtuese. Më shumë të diplomuar në AFP hyjnë në tregun e punës. 48% e nxënësve të diplomuar në vitin 2018 ishin në marrëdhënie pune, në krahasim me 34% të atyre që kanë mbaruar studimet në vitin 2016. Ndër kursantët e certifikuar në FP, 52% e të trajnuarve në 2018 punonin në krahasim me 42% e atyre të trajnuar në vitin 2016. Përqindja e të diplomuarve nga AP të cilët ishin të papunë u ul pak, nga 36% në 28%. Niveli e të diplomuarve në AP që ndjekin universitetin apo studime të mëtejshme mbeti i qëndrueshëm rreth 20%.
Rezultatet e tregut të punës duket se ndryshojnë në varësi të gjinisë, megjithëse hendeku gjinor i punësimit është ulur pak, nga 27% (e të diplomuarve në AP në 2016 ) në 23% dhe në 20% (e të diplomuarve në AP në 2018).
Pjesa e atyre që fitojnë të ardhura në nivelin e pagës minimale ose në nivel më të lartë u rrit për të dy grupet. Për të diplomuarit e AP, pati një rritje nga 79% për grupin e vitit 2016 në 89% për grupin e vitit 2018. Për kursantët e certifikuar nga FP, rritja ishte nga 91% në 98% për kursantët e vitit 2018.
Të diplomuarit e arsimit profesional po fitojnë gjithnjë e më shumë. Të dhënat e mbledhura tregojnë se pjesa e atyre që marrin mbi pagën minimale dhe më shumë është rritur, ndërsa ka një rënie në pjesën e atyre që paguhen nën pagën minimale. Përqindja e të diplomuarve që fitojnë neto nga 35,000 – 50,000 lekë u rrit për të diplomuarit në AP nga 16% në 22%, dhe për kursantët e FP nga 32% në 36%.
Shënim: Ndërsa të dhënat e gjurmimit për grupin e të diplomuarve për vitin 2016 përfshinin vetëm 4 ofrues, të dhënat e grupit 2017 dhe 2018 përfshijnë gjithsej 6 ofrues (përfshirë shkollat profesionale “Gjergj Canco” dhe “Hamdi Bushati”). Për shkak të këtij fakti, mund të shfaqen mospërputhje nga raportimi i periudhave të kaluara.