Grupi i parë i mentorëve të certifikuar të kompanive!

Grupi i parë i mentorëve të certifikuar të kompanive!

Në projektin ‘Aftësi për Punë’ ne e vlerësojmë mentorimin si një përvojë unike që përfshin një sërë përgjegjësish të rëndësishme. Prandaj, ngritja e kapaciteteve për mentorët brenda kompanisë është një domosdoshmëri për të siguruar ofrimin e praktikave profesionale cilësore në partneritet me sektorin privat.

Në këtë kuadër, në fund të vitit 2018, S4J ka mbështetur organizimin e një programi për ‘Trajnimin e Trajnerëve’ në rradhët e mësuesve të AFP që shërbejnë në Njësinë e Zhvillimit, instruktorëve të QFP dhe përfaqësuesve (me formim në pedagogji) të institucioneve si AKAFPK, universitetet dhe qendrat e trajnimit, të cilët do të kryejnë trajnimin e mentorëve.

Gjatë muajit janar dhe shkurt janë pilotuar katër modulet e trajnimit, të hartuara në mënyrë kolegjiale nga pjesëmarrësit gjatë ‘Trajnimit të Trajnerëve’, për 15 mentorë të kompanive që veprojnë në rajonet e Lezhës dhe Shkodrës. Trajnimi u zhvillua nën drejtimin e SFIVET, institucionit partner zviceran të angazhuar për përgatitjen dhe zhvillimin e ‘Trajnimit të Trajnerëve’.

Trajnimi ka për qëllim pajisjen e mentorëve me udhëzimet e nevojshme në lidhje me mënyrën e vendosjes së marrëdhënieve të komunikimit dhe bashkëpunimit më të mirë me praktikantët, me qëllim që të sigurohet ofrimi i praktikave profesionale sa më cilësore.

Gjatë muajit mars ky trajnim do të organizohet edhe për mentorët e kompanive që ushtrojnë aktivitetin e tyre në rajonin e Vlorës, ku ndodhen edhe tre ofrues të AFP të mbështetur nga projekti S4J.