Histori suksesi: Arjeta Meaj

Histori suksesi: Arjeta Meaj

Arjeta Meaj, sot nxënëse në klasën e 13-të në drejtimin Tekstil-Konfeksion, ndan me ne rrugëtimin e saj në shkollën e mesme profesionale “Hamdi Bushati”. Zgjedhja e shkollës profesionale nuk ishte rastësi për Arjetën.

“Duke marrë parasysh pamundësinë ekonomike të familjes sime, kërkova të vazhdoja studime të cilat do të më siguronin punësueshmëri të shpejtë dhe të sigurt. Prandaj dhe vendosa të vazhdoja shkollën profesionale “Hamdi Bushati” në drejtimin “Tekstil-Konfeksione”,

thotë Arjeta

Jo vetëm njohuritë që merrte gjatë orës mësimore, por edhe aktivitetet jashtëshkollore që shkolla organizonte, luajtën një rol shumë të rëndësishëm në rrugëtimin e Arjetës. Pas një vizite në një panair me punime me dorë, Arjeta, vetëm 16 vjeç në atë kohë, vendosi të ndërmerrte një nismë të pazakontë për moshën e saj.

“E frymëzuar nga ato punime cilësore besova se edhe unë mund të realizoja të tilla, duke vënë në praktikë njohuritë që kisha marrë në shkollë. Mënyra më e shpejtë për të promovuar punën time dhe për të krjuar klientelë në një kohë të shkurtër ishte përdorimi i rrjeteve sociale. Kështu hapa faqen e Instagramit “Art n’fije t’penit” ku promovoj punimet e mia të dorës”,

thotë Arjeta

Sot profili i Instagramit të Arjetës ka mbi 2500 ndjekës të cilët porosisin produkte si veshje për të rritur dhe për fëmijë, dekorime shtëpiake dhe festive të cilat ajo i qëndis me shumë dashuri.

Përfitimet ekonomike që Arjeta merr nga ky angazhim janë gjithnjë në rritje, sidomos gjatë periudhave festive.

“Në të ardhmen synoj të hap biznesin tim, përmes së cilit të ndihmoj edhe miqtë, familjarët dhe njerëzit në nevojë”,

thotë Arjeta