Histori suksesi: Platforma MësoVET, një burim i hapur edukativ

Histori suksesi: Platforma MësoVET, një burim i hapur edukativ

Në sektorin arsimor në vendin tonë, integrimi i metodave të mbështetura në teknologji dhe shfrytëzimi i avantazheve të qasjeve të tilla, ka nisur relativisht vonë dhe ende ecën me hapa të ngadaltë. Kushtet infrastrukturore jo gjithnjë favorizuese, aftësitë digjitale të përgjithësisht të kufizuara, sidomos nga ana e mësuesve, si dhe mbizotërimi i një mendësie pedagogjike rezistente ndaj së resë, bëjnë që ndërthurja e metodave tradicionale të mësimdhënies dhe të të nxënit me ato bashkëkohore që kanë si kryefjalë teknologjinë, të jetë një sfidë e vërtetë. Por situata e krijuar si rrjedhojë e pandemisë COVID-19 dhe ndërprerjes së mësimit në ambjentet e shkollës detyroi mësuesit të konsideronin këto alternativa për realizimin e mësimit në distancë. Për një proces sa më efiçent, përdorimi i burimeve të hapura të sistemeve të menaxhimit të të nxënit, si platforma MësoVET, dhe kombinimi i tyre me platformat ku mundësohej komunikimi me video dhe audio, si Zoom, dukej zgjidhja e duhur.

Ermira Mani

Materialet digjitale për të mbështetur mësimdhënien online fillimisht mungonin. Një punë intensive për zhvillimin e tyre, kombinuar me trajnime mbështetëse, u realizua në kohë rekord. Në shkollën “Hamdi Bushati” në Shkodër, mësuese Ermira Mani punoi intensivisht me përgatitjen e materialeve mësimore digjitale për platformën MësoVET, të cilat i hartoi dhe më pas i vendosi në platformë. Gjatë gjithë procesit të hartimit të materialit, mësuese Ermira është munduar ta përshtasë atë duke pasur parasysh përdorimin e tij edhe nga mësues e nxënës të shkollave të tjera, të cilët punojnë në kushte dhe kontekste të ndryshme. Për këtë arsye ajo hulumtoi burime të ndryshme, i përzgjodhi dhe i përshtatati ato, për të krijuar materiale mësimore cilësore dhe efektive, për version digjital të aksesueshme nga të gjithë.

Ndërkohë, në shkollën “Salih Çeka”, mësuese Fabjola Grykshi, pasi është njohur me materialet e platformës që mësuese Ermira ka hartuar dhe digjitalizuar, ka nisur t’i përdorë ato gjatë orëve të saj të mësimit. Për mësuese Fabjolën, e cila është e re në profesion, mundësia për të zhvilluar orën e mësimit nëpërmjet platformës ka ardhur në kohën dhe në formën e duhur. Një qasje e tillë, i përgjigjet më së miri nevojës së saj për të organizuar në mënyrë sa më efektive orën mësimore, për të monitoruar nivelin e përvetësimit të njohurive të nxënësit dhe për të përsosur vazhdimisht qasjen e saj në mësimin online.

Format e larmishme se si materiali vjen tek nxënësi, nëpërmjet imazheve, videove, rasteve studimore, pyetjeve për diskutim duke përdorur forumin ose padlet, kuizeve, detyrave, kanë ndihmuar Fabiolën në mënyrën se si ajo sjell tek nxënësit orën mësimore dhe rritjen e interaktivitetit tek ata. Materialet e realizuara nga mësuese Ermira kanë qenë për të jo vetëm një vlerë e shtuar në realizimin e procesit mësimor, por edhe në plotësimin e ditarit të saj. Ky rast është shumë motivues dhe tregon qartë efektet e shumëfishta të hartimit të materialeve mësimore digjitale dhe përdorimi i tyre në funksion të Open Education Resource.