Historia e Mihalit nga Moldavia, nxënës në shkollën Tregtare  

Historia e Mihalit nga Moldavia, nxënës në shkollën Tregtare  

Unë jam Mihail Paramovov. Që në momentin e parë kur erdha në Shqipëri, në prill të 2021 si turist, u ndjeva sikur i përkisja këtij vendi. Pas pushimeve të gjata në qytetin e bukur të Vlorës së bashku me prindërit e mi, kthimi në Moldavi nuk ishte shumë emocionues apo nostalgjik. Na mungonte koha e bukur, bregu i detit dhe ajri i pastër i qytetit të Vlorës, ndaj vendosëm pa humbur kohë të ktheheshim për të jetuar në Shqipëri.

Si çdo familje kishim dilemat tona për rrugëtimin tim akademik dhe përzgjedhjen e shkollës në një vend të huaj, por pasi takova Profesor Aranitin, zgjedhja ime ishte shumë e lehtë. Mësues Araniti më shpjegoi me detaje vlerat, virtytet dhe mundësitë që ofronte Shkolla Tregtare për një qytet të vogël turistik si ai i Vlorës. E zgjodha shkollën Tregtare pa shumë dilema, dhe mendoj se ka qënë zgjedhja më e mirë që mund të bëja për rrugëtimin tim në një vend krejtësisht të huaj, por që më bënte të ndihesha si në shtëpinë time. Mësueset dhe profesorët në shkollën Tregtare janë një aset shumë i veçantë i asaj shkolle dhe unë e vlerësoj vërtet ndihmën dhe këshillimin për karrierën time. Zgjodha jo pa qëllim drejtimin e degës ekonomike, sepse prindërit e mi kanë një agjenci turistike dhe kjo degë do të më jap mundësinë për të ndihmuar familjen në biznesin e tyre privat.

Ajo çfarë vura re dhe më ka habitur në shkollën Tregtare është vullneti dhe dëshira e mësuesve të shkollës për t’u gjetur mundësi praktike pothuajse të gjithë nxënësve të degës time. Shkolla Tregtare mbështetet dhe nga projekti “Aftësi për Punë”, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim, dhe ne shpesh jemi pjesë e aktiviteve dhe organizimeve të tyre.

Në verën e vitit 2021, unë fillova punën time të parë tek biznesi i prindërve, ku punova si guidë në një anije turistike. Ishte emocion shumë i madh për mua dhe pse isha në biznesin e prindërve të mi kisha përgjegjësi dhe dëshirë për ta bërë punën në mënyrën më të mirë të mundshme.

Aktualisht, jam duke bërë praktikën mësimore në Hotel Regina City në Vlorë. Jam shumë i kënaqur me të gjitha njohuritë që kam marrë dhe mënyrën si më kanë trajtuar. Këtu po kuptoj vërtet se të gjitha informacionet që kemi marrë në shkollë do të më vlejnë për rrugëtimin tim në karrierë.