Historia ime: Mësuese Teodora Dashi rrëfen eksperiencën e saj të mësimdhënënies gjatë pandemisë
Të dashur mësimdhënës,
Unë jam Teodora Dashi, mësuese e Tekstil-Konfeksionit në shkollën Teknike Ekonomike Tiranë.
Dua të ndaj me ju eksperiencën time të mësimdhënies që prej marsit të vitit të kaluar, kur filluam të zhvillonim mësimin në kushtet e distancimit social. Ky vit, edhe pse i vështirë, ka arritur të na tregojë se mënyrat alternative të mësimdhënies janë e vetmja mënyrë për të pasur sukses si mësues. Duke marrë parasysh që lënda që unë jap mësim, përfshin shpjegimin e proceseve praktike, vështirësia për ta dhënë atë online ishte më e madhe sesa në lëndët e tjera. Nëse gjatë mësimit në klasë kisha mundësi t’ia demonstroja nxënësve proceset si prerja apo qepja e një xhakete, gjatë këtij viti më është dashur të gjej mënyra sa më efektive për të zëvendësuar mësimin në klasë dhe për t’i shpjeguar këto procese sa më qartë për nxënësit.
Proceset që ne zhvillojmë gjatë një orë mësimi, si prerja e një xhakete apo qepja e një fustani kërkojnë shpjegim të qartë të çdo hapi, në mënyrë që nxënësi të jetë i aftë ta kuptojë punën por edhe ta riprodhojë atë. Një mënyrë interesante dhe shumë ndihmuese për t’i rritur kuptueshmërinë nxënësve por edhe interesin për mësimin është përdorimi i videove. Gjatë kohës kur mësimi zhvillohej online, mua më erdhi ideja e rregjistrimit të videove të shkurtra në të cilat unë demonstroja hapat e punës. Interesante ishte fakti se këto regjistrime u kthyen në një angazhim familjar, pasi edhe pjestarët e familjes nisën të më ndihmonin me rregjistrimin dhe montazhin e tyre.
Duke parë efektivitetin e tyre, unë jua sugjeroj edhe mësuesve të tjerë përdorimin e videove të thjeshta gjatë mësimit. Për mua nisi si një mënyrë për të zëvendësuar mësimin në klasë, por tani kam arritur të kuptoj që videot e realizuara mund të bëhen të disponueshme për nxënësit në çdo kohë, si përshembull në platformën MesoVET. Arsyesja kryesore pse unë mendoj që videot janë të rëndësishme për mësimdhënien është se tërheqin vëmendjen e nxënësve më shumë sesa tekstet. Stimulimi vizual që videot krijojnë tek nxënësit nxisin ndërveprim me përmbajtjen ose procesin e shpjeguar. Gjithashtu, nxënësit mund ta mbajnë mend më gjatë procesin duke e parë disa herë videon nëse është nevoja.