
Java e Praktikave Profesionale 2020: Novacion dhe ndërgjegjësim
Java e Praktikave Profesionale 2020 u organizua nga ofruesit partnerë të S4J në kuadër të Javës Europiane të Aftësive Profesionale 2020. Si çdo vit, nxënësit dhe stafi i shkollave u përgatitën me dedikim për aktivitetet që zhvillohen gjatë javës. Por këtë herë, pas disa muajsh izolimi dhe mungesë aktivitetesh të zakonshme për shkak të pandemisë, java e praktikave ka qenë veçanërisht e mirëpritur. Sfida ishte organizimi i aktiviteteve në një normalitet të ri dhe brenda masave të sigurisë, ndërkohë që disa aktivitete të parashikuara nuk do të mund të zhvilloheshin.
Megjithatë, aktivitetet nuk munguan, madje me elementin shtesë të ndërgjegjësimit mbi ruajtjen e mjedisit dhe shërbimin ndaj komunitetit. Ofruesit partnerë të S4J në 6 qytete të Shqipërisë organizuan konkurse dhe projekte me nxënësit, histori suksesi, certifikime, vizita të nxënësve në kompani dhe të kompanive në shkollë, intervista të kompanive me nxënësit të klasave të 10-ta dhe nënshkrim Marrëveshjesh Bashkëpunimi me biznese të reja. Gjithashtu, u organizuan tryeza dialogu me bizneset, ku ofruesit e AFP-së u takuan me bizneset e rajonit për të diskutuar mbi nevojat e tregut për aftësi profesionale.
“Mendoj se qëllimi u arrit përtej situatës e kushteve të vështira dhe përtej skepticizmit. Projektet e nxënësve që u zhvilluan këtë vit gjatë Javës së Praktikave Profesionale ishin gjithëpërfshirëse dhe multidisiplinore, në shërbim të komunitetit dhe me risinë e energjisë së rinovueshme për ruajtjen e mjedisit dhe uljes së kostos së energjisë për shkollën.”
Andi Billa
Koordinator Marketingu, shkolla industriale “Pavarësia” nË VlorË
“Mua më bëri shumë përshtypje pozitive interesimi i lartë i nxënësve për të marrë pjesë te konkursi i projekteve dhe prurja e projekteve me ide novatore.“
Eni Xhongu
Koordinatore Marketingu, shkolla “Gjergj Canco” nË TiranË
Gjatë aktiviteteve të javës në fjalë, janë nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi ndërmjet kompanive të sektorit privat dhe institucioneve të AFP-së. Së shpejti, këto kompani do të fillojnë të ofrojnë praktika profesionale dhe skema për zhvillimin gradual të aftësive për nxënësit e shkollave.
Mësoni më shumë mbi disa nga aktivitetet e zhvilluara nga secila shkollë në postimet më poshtë.
Shkolla Teknike Ekonomike Tiranë
Shkolla profesionale “Hamdi Bushati”, Shkodër
Shkolla profesionale “Kolin Gjoka”, Lezhë
Shkolla Tregtare Vlorë
Shkolla Industriale Pavarësia, Vlorë
Shkolla profesionale “Kristo Isak”, Berat
Shkolla profesionale “Ali Myftiu”, Elbasan
Shkolla profesionale “Salih Çeka”, Elbasan
Shkolla Teknike “Gjergj Canco”, Tiranë