Kapacitim për përdorimin e platformës MësoVET
Për të lehtësuar përdorimin e platformës MësoVET, gjatë periudhës shkurt – mars u zhvilluan 10 webinare të dedikuara me shkollat partnere të projektit “Aftësi për Punë”. Për t’i personalizuar webinaret sipas kërkesave të mësuesve, ato u zhvilluan kryesisht të ndara sipas kulturave: të përgjithshme dhe profesionale. Në këto webinare u diskutua kryesisht për lehtësirat që përfitojmë nga përdorimi i platformës, mënyrën e monitorimit të nxënësve dhe integrimin e saj në klasë apo Zoom
Nga këto webinare arritëm të kuptonim se përdorimi i MësoVET është i kushtëzuar shpesh herë nga mungesa e infrastrukturës, qasjes në internet, aftësive digjitale, mungesa e përkushtimit nga ana e nxënësve për shkak edhe të angazhimeve të tjera, sasia e madhe e internetit e nevojshme për t’u përdorur nga telefoni, volumi i materialeve të disponueshme etj.
Gjatë webinar-eve u prezantuan lëndët e shtuara së fundmi në platformë në drejtimet Hoteleri Turizëm, Ekonomi-Biznes, TIK dhe Elektroteknikë. Vëmendje e veçantë iu kushtua përfitimeve që mësuesit dhe nxënësit kanë nga përdorimi i platformës të cilat lidhen me interaktivitetin që platforma u mundëson nxënësve nëpërmjet materialeve digjitale, studimin në orare fleksibël, kontrolli i aktiviteteve të nxënësve, vlerësimi automatik që platforma ofron për quizz-e dhe teste etj. Nxënësi mund të zgjedhë vetë kohën kur mund të lexojë materialet mësimore ndërsa mësuesi mund t’i monitorojë ata duke vlerësuar kohën e shpenzuar në kurs dhe sesionet e logimit. Duke pasur në konsideratë që shumë prej tyre mund të jenë në punë apo nuk kanë qasje në internet në një moment të caktuar, nxënësi nuk humbet asnjë orë mësimore nëse mësuesi i ka vendosur materialet përkatesë në kurs. Një tjetër avantazh i diskutuar është edhe përdorimi i platformës për të zhvilluar provime, duke u mundësuar mësuesve rezultate automatike dhe të shkarkueshme për evidencë.
Së fundi, u sugjeruan dhe mënyra të mësimdhënies për të përdorur platformën si: mësimi asinkron nëpërmjet detyrave, ushtrimeve interaktive dhe mësimi sinkron duke përdorur forumin për diskutime, përdorimi në klasë për të shpjeguar temat mësimore duke zëvendësuar përgatitjen paraprake të Power Point, etj.