Katër kurse të shkurtër për mësuesit
Nëse jeni mësimdhënës ështe e padiskutueshme që jeni përballur të paktën një herë me sfidën e të përftuarit aftësi të vazhdueshme digjitale për të ofruar mësimnxënie sa më efektive. Zakonisht trajnimet mbi këto aftësi janë të kushtueshme ose marrin shumë kohë. Ky artikull do t’ju prezantojë me katër kurse të shkurtra online të cilat mund ti ndiqni për të fituar aftësi të reja, specifikisht mbi përdorimin e Burimeve të Hapura Edukative (OER), mbi sigurinë digjitale gjatë mësimdhënies, mbi teknikat e përdorimit të motorëve të kërkimit si dhe mbi rolin e lidershipit në mësimin e kombinuar ku do të mësoni më shume se si të përmbushni me sukses detyrat tuaja gjatë mësimdhënies së kombinuar.
Nëse jeni mësimdhënës apo nxënës ju ftojmë të na bashkoheni në kursin e shkurtër ‘‘Përdorimi i Burimeve të Hapura Edukative (OER)’’ ku do të mund të zbuloni se ç’janë OER-të, të identifikoni rëndësinë e përdorimit të tyre, si dhe cilat këshilla të merrni në konsideratë në përzgjedhjen e tyre.
Nëse keni një funksion drejtues në shkollë, apo jeni drejtues departamenti, koordinator i kurrikulës, koordinator i ZHVP, koordinator i NjZh, koordinator i Orientimit në Karrierë, dhe jeni të interesuar për të ditur më shumë mbi rolin dhe përgjegjësitë tuaja në kuadër të mësimit të kombinuar, si dhe hapat që duhet të ndjekim për të zhvilluar një strategji për zbatimin e mësimit të kombinuar në institucion arsimor, ju ftojmë të na bashkoheni në kursin e shkurtër ‘‘Roli i lidershipit në mësimin e kombinuar’’ ku do të aftësoheni në përmbushjen me sukses të detyrave tuaja në raport me këtë modalitet mësimor inovativ.
Nëse jeni mësimdhënës ju ftojmë të na bashkoheni në kursin e shkurtër ‘‘Siguria digjitale gjatë mësimdhënies’’ ku do të mund të identifikoni rëndësinë e sigurisë digjitale, të evidentoni disa mënyra se si institucioni arsimor mund të kontribuojë në sigurinë digjitale, si dhe të aftësoheni në zhvillimin e një ore mësimore bazuar në rregullat e sigurisë digjitale. Kursi “Teknikat e përdorimit të motorëve të kërkimit” do t’ju aftësojë për të identifikuar dhe përzgjedhur si duhet motorët e kërkimit sipas kërkesave dhe interesave tuaj specifikë, të aplikoni teknikat më të mira të përdorimit të motorëve të kërkimit për të qenë efikas në një kohë të shkurtër për të gjetur pikërisht atë që po kërkoni.