Këshillim në karrierë për praktika profesionale të suksesshme

Këshillim në karrierë për praktika profesionale të suksesshme

Prej vitit 2017, shkollat partnere të projektit “Aftesi për Punë”, ofrojnë për nxënësit praktikat profesionale afatgjata në kompani, në bashkëpunim me partnerët e tyre të biznesit.

Që në vitin e parë të pilotimit të vendosjes së nxënësve në kompani, që praktika të ishte e suksesshme doli në pah nevoja për një proces perzgjedhjeje dhe kombinimi (matching) midis praktikantit dhe biznesit pritës. Për këtë, që prej fillimit të shkollës në muajin shtator, nxënësit trajnohen nga Koordinatoret e Këshillimit të Karrierës dhe instruktoret e praktikës në shkollë për të aplikuar me CV dhe letra interesi tek bizneset e rajonit të tyre, ku mund të kryejnë praktikën profesionale afatgjatë.

Procesi i këshillimit në këtë pikë përfshin:

  • Së pari, nxënësi njihet me kompanitë partnere të shkollës (kompania mund të vizitojë shkollën ose nxënësi të vizitojë biznesin apo klientët e tij).
  • Së dyti, nxënësi njeh veten përmes disa elementeve të Psikologjisë Organizative. Ai nxjerr në pah elemente të aftësive të tij të buta dhe teknike dhe arsyen përse po aplikon te një kompani e caktuar.
Nxënës nga Shkolla Teknike Ekonomike Tiranë gjatë vizitës në supermarketin “Conad”, biznes partner i shkollës

Me ndihmën e Koordinatorit për Këshillim në Karrierë, instruktorit në shkollë dhe Koordinatorit të Marrëdhënieve me Bizneset, nxënësi përpilon dosjen e tij dhe aplikon për praktikë duke derguar CV dhe leter motivimi pranë personit përgjegjes në kompani.

Pasi nxënësi ka dërguar të paktën 3 aplikime në kompani të ndryshme për të rritur mundësinë e fillimit të praktikës, ai/ajo pret përgjigje që të përzgjidhet për intervistë. Nga ana e saj, kompania vlerëson nxënësit me motivimin më të lartë për të zënë një vend praktike.

Para së bëjë intervistën, nxënësi merr këshillat e fundit nga Koordinatori për Keshillim në Karrierë, memorizon fletushkën “6 këshilla për ty, praktikant” të postuar në murin kryesor të Njësisë së Zhvillimit dhe bën pyetjet e nevojshme.

Pyetjet e instruktorëve në kompani gjatë intervistës janë të thjeshta, por hulumtuese: Cilat janë pasionet e nxënësit, çfarë gatuajnë në shtëpi dhe përse duan të bëhen kuzhinierë, çfarë i lidh me botën e softeve dhe si e shohin karrierën e tyre në informatikë, etj.

Një nxënës nga Shkolla Tregtare Vlorë gjatë intervistës me një përfaqësues biznesi

Përgjatë 20 minutave, mund të kuptohet përshtatshmëria e nxënësit me kompaninë ofruese të vendit të praktikës si dhe interesat e tij. Më pas i takon nxënësit të tregojë dëshirën për të mësuar dhe atë që di të bëjë gjatë praktikës!