Klubet e Inovacionit: Një mundësi e re për të rinjtë e arsimit profesional
Krijimi i klubeve të inovacionit ishte një nga risitë më të përfolura të këtij viti për sa i përket arsimit profesional. Këto klube shërbejnë si mjedise sociale të cilat tërheqin nxënësit dhe i motivojnë të gjenerojnë ide e të angazhohen në aktivitete të ndryshme, të cilat jo vetëm mund të implementohen në shkollat përkatëse, por gjithashtu do të bëhen pjesë e një konkursi në rang kombëtar mes të gjitha shkollave pjesëmarrëse. New Vision me mbështetje të projektit ‘Aftësi për Punë’ kanë krijuar 9 klube inovacionit në shkollat profesionale partnere të projektit dhe kanë organizuar takime informuese të cilat kanë shërbyer si seanca prezantuese me nismën në vetvete dhe pritshmëritë për të ardhmen.
Përgjatë muajve të fundit, janë zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme edhe takime të organizuara në formën e sesioneve trajnuese. Gjatë këtyre trajnimeve, të ftuar të ndryshëm kanë ndarë eksperiencat e tyre personale dhe kanë diskutuar me të rinjtë rreth mundësive që fusha e inovacionit ofron. Këto takime informuese jo vetëm shërbejnë si një mënyrë shumë efektive për të ndarë përvoja, por gjithashtu qartësojnë më shumë idetë e të rinjve të cilët kanë nevojë t’i konkretizojnë ato. Tregu global i punës dhe dinamikat e zhvillimit të tij, aftësitë e buta që tregu i punës kërkon më së shumti, sipërmarrja, rëndësia e një plani strategjik për të ardhmen, krijimi i një plani praktik për të ardhmen, aftësitë bazë të komunikimit, etj,. janë vetëm disa nga temat që janë prekur dhe diskutuar gjatë këtyre takimeve trajnuese.
Diversiteti që karakterizon nxënësit në këto klube inovacioni ka bërë që këto takime të jenë të veçanta dhe shumë produktive. Nëpërmjet lojërave të ndryshme interaktive, nxënësit kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të përmirësuar aftësinë e të punuarit në grup e krijimit të sinergjisë brenda skuadrave. Çfarë është vënë re më së shumti, është dëshira e madhe që nxënësit kanë për të marrë pjesë në lojëra e aktivitete, gjatë të cilave ata njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe nxjerrin në pah personalitetet e tyre dinamike. Pas këtyre aktiviteteve, Klubet e Inovacionit tashmë kanë nisur të veprojnë si një hapësirë rinore menaxhuar nga vetë nxënësit.