Kombinimi i lëvizjes dhe teknologjisë për nxitjen e të nxënit
Përdorimi i teknologjisë në edukim është rritur në mënyrë të konsiderueshme vitet e fundit. Një ndër përfitimet që teknologjia ofron në klasë është dhe nxitja e aktivitetit fizik të nxënësve, të cilët në shkollë e kanë të kushtëzuar. Në këtë drejtim, një qasje e re e quajtur “të nxënit aktiv” synon të ndërthurë teknologjinë me lëvizjen, për të nxitur të nxënin dhe për të promovuar aktivitetin fizik. Ky lloj i të nxënit e kombinon teknologjinë me lëvizjen, duke përdorur aktivitete të ndryshme të cilat kërkojnë nga nxënësit të lëvizin gjatë orës mësimore. Kjo metodë novative mësimdhënieje i ndihmon mësuesit të mbajnë nxënësit e tyre aktiv e të angazhuar gjatë mësimit, por mbi të gjitha ndërton një kulturë të re të të nxënit në klasë.
Studimet tregojnë se përdorimi i teknologjisë në mësimdhënie, si dhe inkurajimi i aktivitetit fizik në klasë, kanë një ndikim pozitiv në rezultatet e nxënësve, rritjen e angazhimi tyre, si dhe përmirësimin e shëndetit fizik dhe emocional.
Por si realizohet të nxënit aktiv nëpërmjet teknologjisë?
Mësuesit mund të integrojnë lëvizjen në klasë në mënyra të ndryshme. Një mënyrë për të bërë këtë është përdorimi i simulimeve të realitetit virtual (pajisjeve VR) të cilat kërkojnë që nxënësit të lëvizin gjatë orës së mësimit. Kjo mund të bëhet përmes pajisjeve të ndryshme teknologjike si tableta, laptop, smartphone, etj., dhe mund të konsiderohet si një nga metodat më të thjeshta dhe më e përshtatshme për të përfshirë lëvizjen në klasë.
Një tjetër mënyrë për të inkurajuar lëvizjen në klasë nëpërmjet teknologjisë është ndarja e nxënësve në grupe punë dhe përdorimi i pajisjeve digjitale për të kryer aktivitetet e tyre. Secili grup punon në mënyrë të pavarur një detyrë që i caktohet duke përdorur një lap-top apo telefon për të hulumtuar mbi temën ose për të bërë prezantimin. Më pas ata mund të lëvizin dhe të bashkëpunojnë me grupet e tjera për të diskutuar zgjidhet e mundshme të problemit. Dërrasat ndërvepruese gjithashtu mund të ndihmojnë në këtë proces për të prezantuar projektet e secilit grup. Në këtë mënyrë, nxënësit janë të përfshirë në një mënyrë aktive në mësim dhe nxitet bashkëpunimi dhe komunikimi mes tyre.
Përfshirja e aktiviteteve fizike në klasë krijon një mjedis dinamik dhe mbështetës që nxit të nxënit dhe përmirëson aftësinë e nxënësve për të kuptuar dhe ruajtur informacionin më mirë. Për më tepër, mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit mendor dhe emocional të nxënësve pasi studimet kanë treguar se aktiviteti fizik ndikon pozitivisht duke ulur ndjenjës së stresit dhe lodhjes gjatë procesit të mësimit, si dhe duke përmirësuar kujtesën dhe aftësinë kognitive. Së fundmi, të nxënit aktiv mund të ndihmojë edhe ata nxënës që kanë vështirësi me përqëndrimin dhe të qëndruarit në një vend për një kohë të gjatë.