Kush do e ndërtojë vizionin tënd? Industria e ndërtimit në Elbasan

Kush do e ndërtojë vizionin tënd? Industria e ndërtimit në Elbasan

Në shkollën “Ali Myftiu” në Elbasan me profile industriale, prej 2 vitesh nuk kishte nxënës të regjistruar në drejtimin “Ndërtim”. Në klasë të 12-të janë vetëm 11 nxënës që vijojnë në këtë profil mësimor. Shkolla has në vështirësi si për realizimin e praktikës në shkollë edhe realizimin e praktikave profesionale, nisur nga Interesi i ulët i kompanive për t’u përfshirë në jetën e institucionit dhe niveli i ulët i interesit të nxënësve. Nga ana tjetër, në rajonin e Elbasanit industria e ndërtimit ka një lulëzim të investimeve të vazhdueshme.

Kompanitë e ndërtimit gjatë tryezave të dialogut organizuar nga S4J, kanë identifikuar problematikat në këtë sektor:

  • Nivelin e ulët të kualifikimit të stafit në disa funksione/ profile të industrisë;
  • Vështirësinë e gjetjes së stafit të ri;
  • Largimin e vazhdueshëm të punëtorëve (edhe të pakualifikuar);
  • Nevojën për ridimensionim të industrisë që të jetë më tërheqëse për brezin e ri.

Eventi “Kush do e ndërtojë vizionin tënd?”

Të gjithë aktorët e sistemit, shkolla “Ali Myftiu” e mbështetur nga projekti S4J, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, Bashkia Elbasan dhe kompanitë e ndërtimit në rajon, ranë dakord për organizimin e një aktiviteti gjithëpërfshirës për rritjen e vizibilitetit të shkollës dhe njohjes me ofertën e saj nga ana e nxënësve dhe kompanive.

Eventi u realizua në muajin maj, në një mjedis të hapur në shkollën “Ali Myftiu”, para mbylljes së vitit akademik dhe para nisjes së procesit të regjistrimit të nxënësve për vitin e ri akademik. Në këtë event morën pjesë përfaqësues të kompanive të rëndësishmë të rajonit, si: KNAUF Albania and Kosovo, Delta Group, Luli Gips, Doko shpk, Theos, Europa, Shoqata e Ndërtimit në Elbasan dhe aktorë të sistemit, si: AKPA, Zyra e Punësimit Elbasan, Nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, si dhe përfaqësues të “Aftësi për Punë”.

Të gjithë aktorët vunë theksin tek mungesa e aftësive dhe burimeve njerëzore ne këtë industri të rëndësishmë dhe punëofruesve të rajonit. Për marketimin e duhur dhe cilësor të kësaj nisme, u theksua se duhet një punë e vazhdueshme e kompanive në partneritet me shkollën, shkollës si institucion furnizues i burimeve njerëzore dhe stafit të kualifikuar, AKPA si rregullatore dhe promotore e aftësive dhe punësimit dhe Bashkisë në nivel mbështetje lokale.

Në përmbyllje të aktivitetit, shkolla ftoi të gjitha kompanitë e sektorit dhe aktorët e tjerë për një dialog të vazhdueshem në promovim dhe rritje të cilësisë së ofertës.

Gjatë muajve qershor-shtator, falë edhe eventit të organizuar dhe punës së bërë nga stafi i shkollës “Ali Myftiu”, u arrit objektivi i hapjes së vitit të parë (klasa e dhjetë) në drejtimin “Ndërtim” me më shumë se 16 nxënës.

Që prej fillimit të vitit, janë siguruar Marrëveshjet e Mirëkuptimit me kompani të sektorit të ndërtimit për praktika profesionale afatgjata, përmirësim kurrikulash dhe literaturë profesionale.