Materiale mësimore digjitale për 34 lëndë të reja në MësoVET

Materiale mësimore digjitale për 34 lëndë të reja në MësoVET

Një arritje e rëndësishme u shënua në pasurimin e kurrikulit shkollor të kulturës profesionale. U zhvilluan materiale mësimore digjitale për 100% të temave të 34 lëndëve në 6 drejtime të arsimit profesional: Ekonomi-Biznes, Hoteleri-Turizëm, Elektroteknikë, Shërbime Mjetesh Transporti, TIK, dhe Shërbime Sociale dhe Shëndetësore.

Drejtimi “Shërbime Sociale dhe Shëndetësore” u mbështet nga projekti “Aftësi për Punë“ (S4J), për herë të parë me 13 lëndë të reja të teorisë profesionale. Në këtë proces morën pjesë 21 autorë, 3 ekspertë pedagogjikë dhe 4 specialistë të digjitalizimit. Të gjitha lëndët tashmë janë të disponueshme në MësoVET.

Me qëllim promovimin e materialeve të reja digjitale, gjatë muajit mars u organizua një maratonë tre-ditore online me prezantime tematike sipas grupeve të lëndëve. Pjesëmarrësit u njohën më lëndët e reja dhe procesin nga autorët, ekspertët pedagogjikë dhe mësues që mbështesin digjitalizimin në shkollat profesionale. Pjesëmarrësit ishin nga 20 shkollat e vendit ku ofrohen këto 6 drejtime. Gjatë sesioneve u theksua rëndësia e mentorimit, përvojës dhe përdorimit të MësoVET për integrimin në klasë të përmbajtjes didaktike digjitale dhe teknologjive mësimore.

Ky hap i rëndësishëm në zhvillimin e materialeve mësimore digjitale jo vetëm pasuron burimet didaktike, por edhe hap rrugën për një arsim profesional më modern, interaktiv dhe të përshtatur me nevojat e kohës. Disponueshmëria e këtyre materialeve në MësoVET do të jetë një aset i çmuar për mësuesit dhe nxënësit në të gjithë vendin, duke kontribuar në rritjen e cilësisë dhe efektivitetit të mësimdhënies dhe nxënies në arsimin profesional.