Më shumë çmime dhe aktivitete për nxënësit e shkollave partnere të S4J

Më shumë çmime dhe aktivitete për nxënësit e shkollave partnere të S4J

Pjesëmarrja e nxënësve në kauza, nisma dhe konkurse brenda dhe jashtë shkollës është shumë e rëndësishme për zhvillimin e tyre personal dhe profesional, si dhe për zhvillimin e një atmosfere më të mirë shkollore.

Kjo është arsyeja përse në projektin “Aftësi për Punë” S4J, ne i inkurajojmë shkollat partnere që të mbajnë sytë dhe mendjen të hapur ndaj mundësive kombëtare dhe ndërkombëtare që mund t’i shërbejnë të ardhmes së profesionistëve të rinj.

Le të shohim shkurtimisht aktivitetet kryesore ku kanë marrë pjesë nxënësit në muajin tetor!

Gastro Alb’ 2 – Konkursi Ndërkombëtar Gastronomik

37 nxënës nga 4 shkolla partnere që ofrojnë drejtimin profesional të Hoteleri-Turizmit morën pjesë në edicionin e dytë të garës ndërkombëtare gastronomike ‘Gastro Alb’ 2, e cila u zhvillua në Tiranë nga data 25 deri më 27 tetor.

Konkursi u organizua nga SHUM Albania (Shoqata e Ushqimit dhe Mirëqenies) dhe Shoqata shqiptare e Shefave të Kuzhinës & Kuzhinierëve, me pjesëmarrës nga 20 vende të rajonit dhe më gjerë.

Nxënësit konkuruan në 3 kategori: ‘Gatim – Ekip’, ‘Gatim – Individ’ dhe ‘Picajol’. Profesionistët e “World Chef” në juri dhanë 12 çmime për nxënësit nga shkollat e mbështetura nga S4J:

  • Shkolla Profesionale ‘Hamdi Bushati’ në Shkodër: 1 medalje argjendi (Edsabion Kalej, Daniela Dodaj, Emanuela Hakaj) dhe një medalje bronzi (Ermali Ethemi)
  • Shkolla profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë: 1 medalje argjendi (Edona Doçi) dhe 3 medalje bronzi (Xhoana Gjonaj, Daja Ndoka, Alti Prenga)
  • Shkolla Profesionale ‘Kristo Isak’ në Berat: 1 medalje argjendi (Artjola Muçogllva, Marjana Shtepenja, Suljon Isufaj)
  • Shkolla profesionale tregtare në Vlorë: 1 medalje ari (Sulçeniko Nikas), 1 medalje argjendi (Kevin Shimi) dhe 3 medalje bronzi (Kevi Myrto, Luis Kapaj, Marjo Elmazaj)

Përveç konkursit të gatimit, nxënësit morën pjesë si spektatorë në ‘Cocktail Show’ të organizuar nga baristë të famshëm në mbarë botën dhe në ‘Live Cooking Zone ‘ ku profesionistët e ‘World Chef’ përgatitën receta të shijshme nga secili vend pjesëmarrës. Të gjithë nxënësit që morën pjesë në konkurs morën edhe një diplomë nga ‘World Chef’. 

Ekskursion në Razëm: ndërtimi i një atmosfere më të mirë shkollore me anë të aktiviteteve të socializimit

Shkollat partnere të projektit ‘Aftësi për Punë’ S4J janë të vetëdijshme se krijimi i atmosferës pozitive dhe nxitja e frymës së përkatësisë për një shkollë të caktuar janë dy faktorë shumë të rëndësishëm drejt suksesit: kthimi i shkollës në një ambient të këndshëm për nxënësit, do të ndikojë edhe në parandalimin e braktisjes së shkollës.

Në këtë kontekst, gjatë muajit tetor, shkolla “Hamdi Bushati” organizoi një ekskursion në fshatin turistik të Razmës, qëllimi i të cilit ishte nxitja e socializimit midis nxënësve të rinj dhe krijimi i marrëdhënieve pozitive mësues-nxënës. Fjalët kyçe të ditës ishin aktivitetet hapëse ‘për të thyer akullin’ dhe aktivitetet e socializimit.

Ditët e Kodimit

Prej datës 17 deri më 19 tetor, në shkollën profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë, shkollën “Gjergj Canco” në Tiranë dhe shkollën industriale “Pavarësia në Vlorë u organizuan ” Ditët e Kodimit “, një aktivitet i organizuar në kuadër të Javës Europiane të Kodeve (6 – 21 tetor).

Aktivitetet në të tri shkollat u koordinuan nga anëtarët e Komitetit Drejtues të Nxënësve dhe përfshinin: konkurse kodimit, orë kodimit, lojëra nëpërmjet kodimit, tregime motivuese të nxënësve që kodojnë, si dhe vizita në shkolla, të organizuara për nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Në këto aktivitete dhe vizita shkollore morën pjesë rreth 160 nxënës, të cilët e ndoqën me endje programin e organizuar nga nxënësit e shkollave profesionale. Disa prej tyre madje u certifikuan për aktivitetet në të cilat morën pjesë.