Më shumë punësim dhe të ardhura për të diplomuarit nga AFP

Më shumë punësim dhe të ardhura për të diplomuarit nga AFP

Si çdo vit, projekti “Aftësi për Punë” ka hartuar raportin e gjurmimit të të diplomuarve të vitit 2019. Në këtë publikim paraqiten të dhëna nga ndjekja e të diplomuarve nga institucionet partnere të AFP 1 vit pas diplomimit.

Nga ky raport vihen re tendenca pozitive që tregojnë rritjen e punësueshmërisë e të ardhurave të të diplomuarve nga arsimi dhe formimi profesional, si dhe përmirësimin e imazhit të përgjithshëm të AFP.

Numri i të atyre që diplomohen nga 6 shkolla partnere është rritur afërsisht me 30% nga viti 2016.

Përqindja e të diplomuarve që janë në punë (12 muaj pas diplomimit) është rritur me 17% (nga 34% për të diplomuarit në vitin 2016 në 51% për të diplomuarit në vitin 2019). Numri i profesionisteve te rinj që kontribuojnë në kompanitë shqiptare nga këto 6 shkolla është dyfishuar.

This image has an empty alt attribute; its file name is tracer-info-3A-1-956x1024.jpg

Më shumë të diplomuar nga AFP po marrin paga më të larta në vitin e parë të punës. Grupi i pagave të larta mujore (mbi 50,000 lekë NETO) ka arritur 24% për të diplomuarit e vitit 2019 (paga mesatare në semestrin e dytë të vitit 2020 ishte 44,945 lekë).

Më shumë nxënës të mirë po i zgjedhin shkollat partnere të projektit. Mesatarja e nxënësve që regjistrohen në arsim profesional në klasat e 10-ta është rritur me një notë nga viti 2017 (kur projekti filloi të mbledhë këtë të dhënë).

Ndërkohë, 86% e të diplomuarve në vitin 2019 thonë që do të zgjidhnin të njëjtën shkollë.

Rezultatet e gjurmimit të secilit nga ofruesit partnerë të S4J u prezantuan në Njësitë e Zhvillimit përkatëse nga Koordinatorët e Gjurmimit, duke vijuar me analiza dhe diskutime mbi arritjet e institucionit dhe mundësitë për përmirësim.