Si mund të ndërthuri një mësues kompetencat e përgjithshme me kompetencat profesionale?
Mendim nga ekspertja Dr. Gerda Sula.
Në shkollat e arsimit profesional është shumë e rëndësishme që lëndët e kulturës së përgjithshme të lidhin kompetencat e përgjithshme që duhet të mësohen me kompetencat profesionale që nxënësit duhet të zhvillojnë. Nxënësit përballen me probleme të ndryshme në praktikimin e njohurive dhe aftësive që mësohen dhe mund te mos jenë të motivuar të mësojnë koncepte krejtësisht të shkëputur nga realiteti. Në vend që të mësojnë njohuri që memorizohet, testohet e më pas harrohet, njohuria që përdoret nga nxënësit në praktikën e tyre profesionale është më me vlerë.
Mësimdhënia e dhënë në një mënyrë kuptimplotë, në mjedise të të nxënit që lidhen me profesionin mund të jenë më lehtësisht të kuptueshme dhe më të aplikueshme në situata autentike. Situatat e të nxënit lidhin njohurinë me veprimtaritë dhe kontekstet e realitetit të jetës dhe profesionit të nxënësit. Nëntë karakteristikat që duhet të mbajmë parasysh për të lidhur kompetencat e përgjithshme me ato profesionale janë:
(1) kontekste autentike,
(2) veprimtari autentike,
(3) akses në modelimin e ekspertit,
(4) role dhe perspektiva të shumëfishta,
(5) bashkëpunim,
(6) reflektim,
(7) mundësi të larmishme,
(8) trajnim dhe mbështetje
(9) vlerësim autentik.
Mësuesit duhet të kujdesen që kur hartojnë mësimdhënien e bazuar në parimet e situatave të të nxënit, duhet të ofrohen kontekste autentike që reflektojnë realitetin e botës ku jetojnë nxënësit dhe të profesionit që ata do të ushtrojnë, në të cilat përdoret njohuria; veprimtari autentike që janë kuptimplota për jetën dhe profesionin e nxënësit dhe që kërkojnë pjesëmarrjen e tij aktive. Këto mund të jenë të bazuara në biznesin ku nxënësi bën praktikën, një përfaqësim i këtij mjedisi (psh. një laborator a praktikë), apo edhe përdorimi i videove konkrete të filmuara në mjedise reale.
Të nxënit në distancë mund të ofrojnë një alternativë për realitetin e punës gjithashtu, pasi mjediset ndërvepruese multimediale ofrojnë mundësi për praktikë të simuluar. Nxënësit mund të mbështeten nëpërmjet modelimit apo vëzhgimit të proceseve konkrete të punës, që i ofrojnë mundësi nxënësit të eksplorojë perspektiva nga këndvështrime të ndryshme, edhe nëpërmjet videove. Përpos këtyre, nxënësit duhet të kenë mundësi të përfshihen në veprimtari ndërvepruese që mbështesin ndërtimin e njohurive me bashkëpunim, si dhe aftësi të nivelit të lartë të të nxënit, procese reflektimi që mundësojnë abstragimin dhe mundësi të ndryshme për të artikuluar, negociuar dhe mbrojtur njohurinë që kanë ndërtuar.
Një proces i suksesshëm mësimdhënieje dhe të nxëni ofron veprimtari që drejton nxënësit për të përkufizuar cilat janë problemet dhe i zgjidh në veprimtari bashkëpunuese ndërpersonale. Për më tepër, për një të nxënë të suksesshëm, veprimtaritë duhet të hartohen që të kërkojnë kohë të gjatë (ditë, javë ose muaj) sesa një kohë të shkurtër. Veprimtaritë autentike duhet të integrohen në një numër lëndësh dhe duhet të lejojnë bashkëpunim, reflektim dhe zgjidhje të shumta. Mësimdhënia duhet të ofrojë mbështetje dhe shkallëzim në kohën e duhur për të ndihmuar nxënësit të gjenerojnë njohuritë e tyre në kontekste komplekse dhe të integrojë detyra të ndryshmë që mund të vlerësohen në mjedise dhe kontekste reale.