Mësimi i kombinuar si një alternativë e mësimit ballë për ballë

Mësimi i kombinuar si një alternativë e mësimit ballë për ballë

Të gjendur përballë shoqërisë së informacionit dhe brezit të gjeneratës Z, institucionet arsimore hasin gjthmonë e më shumë vështirësi për t’iu përshtatur profilit të nxënësve dhe përgjigjur kërkesave të tyre. Më parë procesi mësimor ishte i limituar në libra, fletore dhe dërrasë e zezë. Në ditët e sotme kemi libra, fletore dhe pajisje digjitale. Teknologjia ka filluar të ndryshojë mënyrën se si nxënësit dëshirojnë të marrin informacionin, të edukohen.

Mësimi i kombinuar mund të jetë forma më e përshtatshme për të edukuar brezat e rinj. Edukimi në shekullin e XXI kërkon një qasja më të personalizuar, produktive dhe një marrëdhënie më bashkëpunuese mësues-nxënës, duke dalë nga kornizat e mësimdhënies tradicionale dhe futur elemetë të një mësimdhënjeje me bazë teknologjinë, ku nxënësi është më i pavarur dhe fleksibël. Kjo formë e re mësimdhënjeje ka në fokus zhvillimin e potencilait dhe kreativitetit të tij.

Mësimi i kombinuar vjen si një alternativë e mësimit ballë për ballë, ku kjo e fundit është e limituar në kohë dhe në venddodhje. Në mësimin e kombinuar, mjedisi mësimor integron elementet dhe procese të të mësuarit, si dhe mjedise dhe platforma ndërveprimi, të ofruara vetëm nga teknologjia e informacionit dhe komunikimit. Edhe pse ka shumë përkufizime për mësimin e kombinuar, zakonisht ai konceptohet si një kombinim i mësimit ballë për ballë dhe mësimit online. Ai kombinon aktivitete të lidhura ngushtësisht me ambjentin e shkollës dhe orën mësimore me aktivitete që mund të kryhen individualisht në kohën dhe vendin e dëshiruar nga nxënësi. Teknologjia dhe nxënësit janë në qendër të kësaj qasjeje. Gjithsesi, teknologjia kurrsesi nuk luan rolin kryesor. Parësore janë metodologjitë e ndryshme të mësimdhënies të ndërtuara rreth tyre.