Mësovet.al: Përmirësimi i përvojës së të nxënit online në AFP
Mësovet.al është një platformë digjitale në Moodle, e përshtatur në gjuhën shqipe nga “Aftësi për Punë”. Ajo synon të mbështesë mësuesit dhe nxënësit e të gjitha institucioneve të AFP-së në Shqipëri për mësimin në distancë online. Mësovet përmban materiale mësimore që bazohen në kurrikulë si dhe materiale praktike të rekomanduara nga ekspertët e industrisë.
E përdorur fillimisht nga një numër i ulët mësuesish novatorë, gjatë periudhës së distancimit fizik për shkak të pandemisë COVID-19, Mësovet pati një rritje përdorimi:
- Mbi 4330 përdorues.
- Mësovet zgjeroi dhe intensifikoi ndihmën e saj për të 35 shkollat publike të AFP-së në vend, ku një vëmendje e veçantë iu kushtua mbështetjes së nxënësve në vitin e fundit të studimeve.
- Mbi 660 mësues u trajnuan për përdorimin e platformës dhe krijimin e materialeve digjitale.
- Mbi 50 webinarë u zhvilluan për të mbështetur përdoruesit.
- Shumica e mësuesve reaguan menjëherë ndaj thirrjes për zhvillimin e materialeve mësimore digjitale për nxënësit që përgatiteshin për provimet.
Për të matur ecurinë e mësimit në distancë gjatë kësaj periudhe, “Aftësi për Punë” zhvilloi dy sondazhe me mësues dhe nxënës të 10 shkollave të AFP-së në Shqipëri, në mars dhe maj 2020. Duke krahasuar dy raportet e studimit, u vu re se më shumë mësues dhe nxënës përdorën platformën Mësovet për mësimin në distancë (48% më shumë nxënës dhe 34% më shumë mësues). Organizimi i procesit të të nxënit, larmia e materialeve mësimore digjitale dhe metodat e vlerësimit gjithashtu treguan ndryshime pozitive. Nga ana tjetër, ka disa sfida që mbeten per t’u adresuar. Mungesa e pajisjeve elektronike, aksesit të vazhdueshëm në internet dhe mungesa e materialeve mësimore digjitale janë më kryesoret. Për më tepër, vlerësimi online duket se është ende i vështirë në arsimin profesional, ku sfida kryesore mbetet praktika profesionale në biznes.