MësoVET: Një mjedis virtual i të nxënit që rritet së bashku me nevojat e shkollave profesionale

MësoVET: Një mjedis virtual i të nxënit që rritet së bashku me nevojat e shkollave profesionale

Pas një përmirësimi teknik, MësoVET vijon të jetë një mjet i rëndësishëm që mbështet përpjekjet për digjitalizimin e arsimit profesional në Shqipëri. Kalimi në versionin Moodle Workplace 4.0 i ka dhënë këtij mjedisi një bazë të fortë për të ofruar një përvojë të pasur, të qartë dhe të qëndrueshme për të gjithë përdoruesit: mësues, nxënës, stafet drejtuese dhe mbështetëse të shkollave profesionale.

Tashmë Mësovet ka një ndërfaqe më intuitive, me navigim të thjeshtuar dhe panele të personalizueshme të cilët kanë përmirësuar ndjeshëm ndërveprimin në këtë mjedis digjital. Një nga veçoritë më të rëndësishme të përmirësimit është “multi-tenancy”, që i mundëson çdo shkolle profesionale të funksionojë brenda një hapësire të dedikuar në Mësovet me lëndë përkatëse, role dhe pamje të personalizuar, duke ruajtur njëkohësisht si menaxhimin e centralizuar ashtu dhe një koordinim teknik të qëndrueshëm.

Gjithashtu, janë shtuar mjete të avancuara për ndërtimin e raporteve, plane individuale të të nxënit, rregulla automatike për regjistrimin dhe certifikimin e nxënësve, si dhe optimizime të performancës gjatë periudhave me ngarkesë të lartë si provimet kombëtare apo trajnimet intensive.

MësoVET, ky mjedis virtual i të nxënit i krijuar posaçërisht për arsimin dhe formimin profesional, u ka shërbyer ndër vite më shumë se 15,000 nxënësve dhe 900 mësuesve. Aktualisht numërohen mbi 8,900 përdorues aktivë, një shifër që vazhdon të rritet si pasojë e kërkesave të shkollave të vendit për të përfituar nga kjo zgjidhje digjitale. Ekipi i S4J vijon të mbështesë zgjerimin e përdorimit të këtij mjedisi duke ndihmuar shkollat në konfigurim, trajnime dhe përshtatje sipas nevojave të tyre specifike.

Në të njëjtën kohë, ka nisur edhe procesi i transferimit të MësoVET tek institucionet shqiptare me synim garantimin e qëndrueshmërisë afatgjatë dhe integrimin e plotë të këtij mjedisi në sistemin kombëtar të arsimit dhe formimit profesional.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt një shkolle profesionale moderne ku teknologjia është një bashkëudhëtare e përhershme në procesin e të nxënit.