Modele dhe praktika të suksesshme të shkollave partnere të S4J për integrimin e nxënësve në tregun e punës
Frymëzuar nga modeli zviceran, prej tetorit të vitit 2015, projekti “Aftësi për Punë” (S4J) mbështet qeverinë dhe grupet e tjera të interesit për të ndërtuar një sistem sa më efikas të Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) në Shqipëri.
Në kuadër të përmbylljes së fazës së dytë të zbatimit, projekti synon të kapitalizojë eksperiencën e ndërhyrjeve të tij dhe shkollave partnere lidhur me integrimin e nxënësve në tregun e punës. Kapitalizimi i eksperiencave (CAPEX) është një proces i të mësuarit përmes pjesëmarrjes i orientuar nga e ardhmja. Kapitalizimi fokusohet tek mësimet e nxjerra, identifikon praktikat e mira dhe përshkruan ndërhyrjet që mund të përdoren në të ardhmen. Kjo do të thotë që gjatë kapitalizimit të eksperiencave aktorët e përfshirë (projekti S4J dhe shkollat partnere) transformojnë njohuritë dhe eksperiencat individuale dhe institucionale në kapital që mund të përdoret në të ardhmen.
Në këtë aspekt, ky dokument përmbledh ndërhyrjet e realizuara nga projekti dhe shkollat partnere nga viti 2015 deri në vitin 2023 lidhur me integrimin e nxënësve në tregun e punës si dhe jep disa orientime për të ardhmen.