Nis faza e re e projektit “Aftësi për punë”!
Pas tre vitesh punë intensive me shtatë ofrues publik të Arsimit dhe Formimit Profesional në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Berat dhe Vlorë, përfundoi faza e parë e projektit “Aftësi për Punë”.
Përfaqësues nga kompani të sektorit privat, mentorë të certifikuar, institucione publike, organizata ndërkombëtare, drejtues të AFP-së, mësues, praktikantë, dhe prindër u mblodhën në prill 2019 për të festuar këtë arritje të rëndësishme.
Gjatë ceremonisë në Tiranë, ekipi i projektit theksoi se tre vjet më parë, projektit i duhej ta fillonte me ndryshimin e mendësisë se arsimi profesional ishte alternativa e fundit për të rinjtë dhe, me punë paralele me të gjithë partnerët të përmirësonte cilësinë dhe rëndësinë e ofertës së AFP-së .
Duke e identifikuar projektin si një lëvizje, Henry Leerentveld, Drejtori i Swisscontact për Evropën Lindore, tha: “është koha për t’u angazhuar në më shumë shkolla për të modernizuar arsimin profesional në Shqipëri”.
Rezultatet kryesore të Fazës I të projektit “Aftësi për Punë”
Gjatë fazës së parë të “Aftësi për Punë”, projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i zbatuar nga Swisscontact, mbështeti ofruesit e AFP-së partnerë në disa drejtime. Disa nga këto janë:
- Krijimi i bashkëpunimeve në shumë nivele midis ofruesve të AFP-së dhe 433 kompanive të sektorit privat dhe drejtuesve të industrisë në nivel lokal dhe kombëtar. Që nga viti 2016, bizneset kanë ofruar stazhe dhe praktika profesionale afatgjata për nxënës dhe praktikantë të AFP-së, si dhe sponsorizime, trajnime të mësuesve me standarde të industrisë, dhe përfshirje në procesin e përditësimit të kurrikulave (diversifikimit të ofertës);
- Sigurimi i stazheve dhe praktikave në biznes për 1422 nxënës;
- Pilotimi i “Mënyrave të reja të të Nxënit” dhe përdorimi i teknologjisë në klasë për ta bërë të mësimin më tërheqës dhe të perceptueshëm për nxënësit;
- Diversifikimi i ofertës së AFP-së, duke e përshtatur atë me nevojat e kompanive lokale të sektorit privat;
- Ngritja e një sistemi për gjurmimin e të diplomuarve në AFP, për të mbledhur të dhëna për situatën e tyre të punësimit pas përfundimit të shkollës ose formimit profesional;
- Pilotimi i Qendrave të Karrierës si pjesë e strukturës së institucioneve të AFP-së, fillimisht me 5 funksione. Kjo qendër, tashmë e parashikuar në ligjin e ri të AFP-së, njihet si ‘Njësia e Zhvillimit’ dhe ka 7 funksione (orientim dhe këshillim për karrierën, marrëdhënie me biznesin, hartim i kurrikulave shkollore, marketing institucional, sistem gjurmimi, zhvillim të personelit, hartim dhe zhvillim projektesh);
- Krijimi i marrëveshjeve të binjakëzimit me shkollat zvicerane dhe mundësimi i pjesëmarrjes së nxënësve në gara kombëtare dhe ndërkombëtare, ku ata kanë fituar vazhdimisht çmime.
Një fillim i ri: Faza II e “Aftësi për Punë”
Përfundimi i fazës së parë shënon një tjetër fillim për ekipin “Aftësi për Punë”. Në maj 2019, projekti hyri zyrtarisht në fazën e re e cila do të zgjasë deri në qershor 2023.
Gjatë fazës së dytë, projekti do të fokusohet më shumë në përhapjen e praktikave të mira në më shumë ofrues të AFP-së; në fuqizimin e institucioneve dhe krijimin i një kulture që nxit ndryshimet si pjesë e vazhdueshme e punës dhe sjelljen e kompanive të sektorit privat në zemër të institucionit për të siguruar angazhimin e tyre aktiv në bordin e shkollës, në proceset e përditësimit të kurrikulave dhe diversifikimit të ofertës dhe në krijimin e një norme për sigurimin e praktikave profesionale për nxënësit e shkollave.
Bazuar në këto objektiva, pesë shtyllat kryesore (Linjat e Ndërhyrjes) të Fazës II të S4J janë:
- Marrëdhëniet me bizneset dhe partnerët,
- Diversifikimi i ofertës së AFP-së,
- Mënyrat e reja të të Nxënit Gjithëpërfshirës,
- Të Nxënit përmes Punës, dhe
- Zhvillimi Institucional.
Karakteristikat kryesore të Fazës II “Aftësi për Punë”
- Qasje për zgjerim: Shkollat profesionale “Ali Myftiu” dhe “Salih Ceka” në Elbasan dhe Shkolla Teknike Ekonomike në Tiranë do të përfitojnë nga mbështetja zvicerane. Dy ofrues të tjerë do t’i bashkohen projektit në 2021. Gjithashtu, projekti do të ofrojë mbështetje indirekte për të gjithë ofruesit e tjerë të AFP-së në Shqipëri, duke mundësuar ekspozimin e tyre në platformat e politikave të AFP-së, në veprimtaritë për ndërtimin e kapaciteteve, dhe në manualet e materialet e prodhuara nga projekti;
- Të gjitha drejtimet profesionale: projekti do të mbështesë ofruesit e drejtpërdrejtë të aplikojnë praktika profesionale afatgjata për nxënësit e shkollës të regjistruar në të gjitha drejtimet profesionale;
- Ndryshime sistemike: projekti do të vazhdojë të përqendrohet në pilotimin e nismave të dobishme jo vetëm për ofruesit e drejtpërdrejtë, por për të gjithë sistemin e AFP-së.