Nis zbatimi i arsimit dual në Shqipëri në shtator, 7 kualifikime duale janë zhvilluar me mbështetjen e projektit “Aftësi për Punë”
Duke nisur nga viti shkollor 2024-2025, arsimi profesional do të zbatojë kurrikula duale, një nismë e Qeverisë Shqiptare në kuadër të reformave të ndërmarra për zhvillimin e kapitalit njerëzor në përputhje me nevojat e tregut të punës. Për disa nga drejtimet kryesore të arsimit profesional, nxënësit do të kenë mundësi të zgjedhin profile mësimore të modalitetit dual, të zhvilluara nga Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK), me mbështetjen e projektit “Aftësi për Punë”, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), zbatuar nga Swisscontact.
Programet Duale do të zbatohen për profilet mësimore “Recepsion”, “Kuzhinë” dhe “Shërbime Ushqimi dhe Pije” në drejtimin “Hoteleri – Turizëm”, “Shërbime Elektro-auto” për drejtimin “Shërbime Mjetesh Transporti”, “Multimedia” për drejtimin “Teknologji Informacioni dhe Komunikimi” si dhe “Instalime dhe Mirëmbajtje të Rrjeteve dhe Impianteve Elektrike” për drejtimin “Elektroteknikë”. Gjithashtu, për herë të parë në modalitetin dual do të ofrohet “Menaxhimi i Strukturave Akomoduese”, një program pas të mesmes, i destinuar për të diplomuarit e arsimit të mesëm si dhe të rritur që synojnë të pozicionohen në fushën e menaxhimit brenda sektorit të hotelerisë dhe turizmit, i cili po zhvillohet me ritme të shpejta. Këto 7 kurrikula duale do të ofrohen nga 10 shkolla profesionale të shtrira në 8 bashki të vendit, në partneritet me mbi 100 kompani.
Për rishikimet e kurrikulave është ndërtuar një grup pune i përbërë nga ekspertë nga biznesi, mësimdhënës të fushës dhe specialistë të AKAFPK, të cilët kanë kontribuar në hartimin e skelet-kurrikulave përkatëse. Tashmë nxënësit e Arsimit Profesional do të mësojnë profesionin jo vetëm pranë shkollës, por edhe pranë kompanive ku do të punojnë për të paktën 3 ditë në javë. Angazhimi i nxënësit në kompani do të realizohet bazuar në një program të përgjithshëm të praktikës profesionale.
Për Menaxherin e Projektit “Aftësi për Punë”, Fation Dragoshi “Përvoja zvicerane, por jo vetëm, me arsimin dual, ku shkolla është e lidhur me biznesin dhe ku cilido nxënës, kalon pjesën më të madhe të kohës duke mësuar profesionin në kompani, na ka dëshmuar të gjithëve se sa i rëndësishëm është ky model për një perspektivë të mirë të të rinjve në tregun e punës, si të punësuar apo vetëpunësuar. Projekti “Aftësi për Punë”, në thuajse një dekadë, ka mbështetur ndërtimin e një përvoje transformuese për shkollat dhe jemi të gëzuar që këtë kontribut për sistemin e AFP-së ta çojmë në një nivel të ri”.
Zbatimi i arsimit dual nga shkollat profesionale në Shqipëri pritet të kontribuojë ndjeshëm në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës, në rritjen e punësueshmërisë së të rinjve dhe në plotësimin e kërkesave të biznesit për punonjës të kualifikuar, me aftësi e kompetenca që i përgjigjen nevojave në ndryshim të vazhdueshëm.
Rreth projektit “Aftësi për Punë”
‘Aftësi për Punë’ (S4J) është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i cili zbatohet në Shqipëri nga organizata Swisscontact. Fokusi kryesor i projektit është përmirësimi i arsimit dhe formimit profesional (AFP) në Shqipëri përmes digjitalizimit, modernizimit dhe gjithëpërfshirjes.