Një hap më shumë për të nxënit nëpërmjet punës në Shqipëri

Një hap më shumë për të nxënit nëpërmjet punës në Shqipëri

Të nxënit nëpërmjet punës (WBL) është strategjia arsimore që u ofron nxënësve përvoja pune në jetën reale, ku ata mund të aplikojnë aftësitë akademike dhe teknike dhe të zhvillojnë punësueshmërinë e tyre. Ajo që është thelbësore për ta bërë WBL-në një strategji efektive në shkallë kombëtare është ngritja e një sistemi që rregullon rolet dhe përgjegjësitë e 3 palëve të përfshira: shkollat, bizneset dhe nxënësit.

Pas rasteve të suksesshme në Zvicër, Austri dhe Gjermani, ku ekonomia dhe kultura e punës bazohet tek të nxënit nëpërmjet punës (WBL) dhe praktikat profesionale afatgjata, donatorët dhe projektet ndërkombëtare kanë filluar përpjekjet e tyre për konsolidimin e të nxënit nëpërmjet punës në Shqipëri. Që nga fillimi i vitit, KulturKontakt Austria dhe ETF kanë nisur një proces, qëllimi i të cilit është të ndihmojë qeverinë shqiptare për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për praktikat profesionale efektive.  Për këtë qëllim, më 24 tetor palët e interesuara për sektorin e AFP-së dhe të punësimit u mblodhën për të diskutuar për mënyrën e rregullimit të këtij procesi të rëndësishëm.

Me modelin e tij të suksesshëm të praktikave profesionale të zbatuar në 5 rajone të Shqipërisë, edhe projekti ‘Aftësi për Punë’ S4J po kontribuon në zhvillimin e sistemit kombëtar të të nxënit nëpërmjet punës në Shqipëri. Përvoja dhe ekspertiza e projektit po i shërben dialogut kombëtar për strukturën dhe instrumentet e nevojshme për krijimin e një sistemi funksional të trajnimit praktik në vend.

Ndërkohë që palët e interesuara i paraqitën problemet nga këndvështrimi i ofruesve të arsimit profesional, ‘Aftësi për Punë’ S4J pati mundësinë të shprehë mendimet dhe shqetësimet e mbi 140 kompanive të sektorit privat që mbështesin shkollat e AFP-së për praktikat profesionale të nxënësve. Meqenëse projekti punon ngushtë me kompanitë e sektorit privat, ai është i vetëdijshëm për përpjekjet e bizneseve dhe suksesin e tyre në ofrimin e praktikave profesionale afatgjata.

Kjo pikëpamje e veçantë nxiti një diskutim shumë konstruktiv, duke theksuar rëndësinë e marrjes në konsideratë të zërit të bizneseve, sfidave të tyre dhe rregullimin e mangësive në legjislacion për ta bërë Të Nxënit Nëpërmjet Punës një proces sa më funksional. Një kuadër funksional për WBL-në do të ndihmojë edhe kompanitë e sektorit privat, duke marrë pjesë në AFP si ofrues të përbashkët, të kuptojnë më mirë rëndësinë e rolit të tyre në përgatitjen e profesionistëve të rinj për të ardhmen.