Një qasje hibride: ndërthurja e klasës së përmbysur me modelin e rotacionit sipas stacioneve
Dorela Maçka, mësuese në drejtimin Ekonomi-Biznes, me dëshirën për të kontribuuar në edukimin e brezave të rinj nëpërmjet formave të reja të mësimdhënies, i përfshin shpeshherë nxënësit e saj në veprimtari mësimore online, gjatë orës mësimore dhe përtej saj. Në lëndën Ekonomi Ndërmarrjeje, për të trajtuar temën “Aftësitë menaxheriale”, mësuesja ka përzgjiedhur të aplikojë një model që mund të konsiderohet “hibrid”: një ndërthurje e klasës së përmbysur me modelin e rotacionit sipas stacioneve.
Në njërin plan, në modelin e klasës së përmbysur të mësimit të kombinuar, nxënësit së pari punojnë online në mënyrë të pavarur me materialin e ri, sipas udhëzimeve të mësimdhënësit dhe më pas, në kontakt me mësimdhënësin, në formë tradicionale ballë për ballë, thellohen në njohuritë e marra ose i vënë ato në praktikë. Njohja me konceptet e reja jashtë mjediseve të shkollës, ku nxënësi ka fleksibilitet në raport me kohën, vendin dhe ritmin e të nxënit, luan një rol avantazhues për të gjithë. Në këtë mënyrë, mësuese Dorela dhe nxënësit kanë më shumë kohë në dispozicion për realizimin e veprimtarive që gjykohen më me vlerë të realizohen në klasë, si diskutime, ushtrime, prezantime etj.
Në plan tjetër, në kuadër të mësimit me rotacion sipas stacioneve, ora e mësimit planifikohet në mënyrë të tillë që nxënësit të zhvendosen të gjithë së bashku nga një veprimtari (stacion) në tjetrën, herë në formë tradicionale ballë për ballë e herë online, sipas një harku kohor të përcaktuar nga mësuesi. Zbatimi i këtij modeli mundëson angazhim më të lartë të nxënësve dhe dinamikë në procesin e të nxënit.
Për të mësuar më shumë se si mësuese Dorela planifikon një orë mësimore për të aplikuar këtë qasje, se si e realizon atë me nxënësit dhe mësimet e nxjerra prej saj, ju ftojmë të lexoni artikullin dedikuar këtij rasti në publikimin ‘Mësimi i kombinuar, një zgjidhje efektive për të nxënit në arsimin profesional – Raste të mira 2022’.