Nxënësit dhe teknologjia: Si të ndërgjegjësojmë nxënësit mbi mbrojtjen dhe sigurinë në internet

Nxënësit dhe teknologjia: Si të ndërgjegjësojmë nxënësit mbi mbrojtjen dhe sigurinë në internet

Përdorimi i teknologjisë është bërë pjesë e pandarë e mësimdhënies në ditët e sotme. Pyetja që shqetëson mësimdhënësit nuk është më nëse duhet të përdorin apo jo teknologjinë në klasa por si të sigurohen që të dhënat e studentëve të jenë të sigurta gjatë përdorimit të kësaj teknologjie. Edhe pse pjesa më e madhe e mësimdhënësve janë të ndërgjegjshëm për rreziqet që kanosen nga shpërndarja e të dhënave personale online, shumë pak prej tyre kanë njohuritë e duhura se si t’i mësojnë studentët të mbrojnë të dhënat e tyre. Një nga format më të përhapura të cënimit të privatësisë online midis nxënësve të shkollave të mesme është aksesimi i llogarive të ndryshme që një nxënës mund të ketë si dhe shpërndarja e fotove dhe mesazheve personale.

Është e rëndësishme që mësuesit të jenë të vetëdijshëm për rreziqet potenciale të lidhura me privatësinë, sigurinë dhe mbrojtjen online, dhe të udhëzojnë nxënësit e tyre se si të mbrojnë veten.

Çfarë mund të bëni ju si mësues konkretisht?

  • Shpjegojini nxënësve tuaj rëndësinë e fjalëkalimeve.

Nxënësit duhet të inkurajohen të krijojnë fjalëkalime që janë të vështira për t’u gjetur dhe të mos i ndajnë ato me të tjerë. Për të mbrojtur më tej llogaritë e tyre, mund të aktivizojnë edhe verifikimin me dyfaktorë (Two-Factor Authentication). Nëpërmjet këtij opsioni ata merrin një kod verifikimi në celularin përmes një mesazhi SMS, i cili i sigurohen që të jenë të vetmit që kanë akses në llogaritë e tyre në internet.

  • Kujtojini nxënësve tuaj të shkyçen nga llogaritë e tyre

Zakonisht nxënësit tuaj përdorin gjatë orëve të mësimit kompjuterat e përbashkët në laboratorë për të aksesuar platformën MësoVET apo platforma të tjera në varësi të temës mësimore. Kujtojini nxënësit tuaj të shkyçen nga llogaritë e tyre pasi përfundojnë me përdorimin e tij. Nëse nxënësit shohin ndonjë aktivitet të dyshimtë në llogaritë e tyre, mësojini si ta raportojnë ose si të veprojnë për ta mbrojtur atë.

  • Edukoni nxënësit për riskun e ndarjes së informacionit personal në internet

 Studentët duhet të informohen për rreziqet potenciale lidhur me ndarjen e informacionit personal në internet adresa e shtëpisë, numri telefonit, foto etj. Ofroni udhëzime mbi cilat janë konkretisht këto informacione duhet të mbahen private.

  • Shpjegojini nxënësve se ku shkojnë fotot dhe mesazhet pasi dërgohen

Një mënyrë se si mësuesit mund të parandalojnë praktika të tilla është duke informuar nxënësit mbi mënyrën se si të dhënat e tyre, përfshirë fotot në telefon apo mesazhet ruhen në një platformë online që quhet cloud. Ata duhet të jenë të informuar që edhe nëse i fshijnë fotot nga telefoni ato ruhen në cloud prandaj duhet të bëjne kujdes se cfarë fotosh ruajnë në telefon nëse nuk duan të jenë të ekspozuar ndaj rrezikut të shpërndarjes së tyre në internet. Shumica e njerëzve mendojnë se mesazhet dhe fotot fluturojnë përmes ajrit nga telefoni në telefon. Shpjegojini nxënësve tuaj se si mesazhet dhe fotot dërgohen nga telefoni i tyre në një server dhe më pas në telefonin e marrësit.

Këto servera rezervojnë dhe arkivojnë gjithçka që dërgojmë përmes aplikacioneve të bisedës dhe është e mundur të aksesohen përsëri mesazhet e fshira. Me fjalë të thjeshta edhe nëse e fshini një mesazh, ai ruhet në një server që aksesohet nga njerëz. Nëse nxënësit e kanë këtë informacion ata do të jenë më pak të predispozuar të dërgojnë foto ose mesazhe që mund të përdoren më pas kundër tyre.

  • Përfshini prindërit e nxënësve në sesione informimi

Prindërit zakonisht nuk ndihen rehat të flasin për tema si shpërndarja e fotove intime të fëmijëve apo marrdhëniet e tyre, por ata janë pika e parë e mbështetjes për fëmijët e tyre. Prandaj, është shumë e rëndësishme që si mësues të mbani disa takime të veçanta ku të informoni prindërit mbi sigurinë online. Prindërit duhet të jenë të informuar jo vetëm për mënyrën se si shpërndahet informacioni personal në web dhe si mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e fëmijëve të tyre por edhe cilat janë ligjet që mbrojnë të drejtat e fëmijëve të tyre në këto raste.

  • Tregojini nxënësve tuaj si të thonë ‘’Jo’’

Nxënësit në shkolla të mesme janë të predispozuar të ndikohen nga njëri-tjetri më shumë se cdo grupmoshë tjetër. Dëshira për të qenë i pëlqyer dhe i pranuar në rrethin e tyre shoqëror në shkollë mund t’i shtyjë nxënësit të bien pre e presionit shoqëror për të bërë veprime të caktuara edhe kur nuk dëshirojnë. Prandaj është shumë e rëndësishme që ju të mbani disa orë të hapura ku diskutoni me nxënësit skenarë të ndryshëm që mund t’ju ndodhin gjatë shkollës së mesme dhe si ti shmangin ato. Mësojini se si mund të thonë ‘’Jo’’ kur ju kërkohet një foto e papërshtatshmë. Për shembull, një përgjigje si: ‘’Nëse më do si shoqe/shok nuk do më kërkoje një foto të tillë’’ mund të jetë një ‘’Jo’’ shumë efektive.