Nxënësit njihen me ndryshimet në platformën Mësovet
Tashmë përdorimi i teknologjisë është kthyer në domosdoshmëri për të lehtësuar procesin mësimor. Platformat digjitale si Moodle, mundësojnë që mësuesi dhe nxënësi të kenë akses jo vetëm në materialet mësimore por edhe në veprimtari e aktivitete që në mësimin tradicional zhvillohen vetëm në klasë. Për ta përmirësuar më tej këtë proces, përgjatë muajve të fundit është punuar që platforma Mesovet të përditësohet dhe të personalizohet për çdo shkollë partnere të projektit Aftësi për Punë. Për t’i njohur nxënësit me këto ndryshime, por edhe për të prezantuar platformën tek nxënësit e rinj që janë regjistruar për herë të parë këtë vit shkollor në klasë të 10, janë organizuar takime informuese në 9 shkolla dhe konkretisht në 224 klasa. Paraprakisht, nxënësit janë regjistruar në programet përkatëse (drejtimet) dhe kanë akses në të gjithë lëndët e disponueshme. Ky ishte një proces që lehtësoi prezantimet me ta pasi secili kishte mundësinë të aksesonte menjëherë platformën nga celulari apo kompjuteri. Një nxënës në platformën Mësovet ka akses në materialet mësimore dhe të gjitha aktivitetet e lidhura me të, si detyra, ushtrime, lojëra apo kuice. Por ai mund të ndjek dhe progresin lidhur me to, të jetë pjesë aktive e forumeve dhe të ndërveprojë më shokët e klasës apo mësuesit njëlloj si në klasën fizike. Të gjitha këto funksionalitete ishin në qendër të prezantimit duke theksuar rolin e nxënësit në platformë. Vështirësia e përdorimit të platformave digjitale është relativisht e ulët duke marrë në konsideratë që platforma Mësovet është vetëshpjeguese, veçanërisht nëse je përdorues i ri por edhe për rolin që një nxënës ka në platformë.