Ofertë sipas kërkesave të tregut të punës: Trajnime kombëtare për diversifikimin e ofertës në AFP

Ofertë sipas kërkesave të tregut të punës: Trajnime kombëtare për diversifikimin e ofertës në AFP

Gjatë muajit prill, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) dhe projekti “Aftësi për Punë” (S4J) zhvilluan një program kombëtar trajnimi me synim pajisjen e institucioneve të arsimit dhe formimit profesional me mjetet dhe njohuritë e nevojshme për të përshtatur ofertat e tyre arsimore sipas kërkesave të tregut dinamik të punës.

Programi i trajnimit përdori një qasje hibride, duke nisur me një seksion online që parapriu seancat rajonale ballë për ballë. Pjesëmarrësit përfshinë Drejtorë, Zëvendës Drejtorë, Koordinatorë të Kurrikulave, Koordinatorë të Marrëdhënieve me Biznesit dhe Drejtues të Njësive të Zhvillimit nga institucionet e AFP-së në vend.

Gjatë seksionit online, pjesëmarrësit u njohën me manualin mbi “Diversifikimin e Ofertës”, modalitetet e ndryshme dhe objektivat e programit të trajnimit. Ky sesion hodhi bazat për trajnimet ballë për ballë.

Trajnimet rajonale ballë për ballë u zhvilluan në Korçë, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë. Objektivi kryesor ishte fuqizimi i shkollave profesionale për të përshtatur në mënyrë strategjike ofertat e tyre arsimore për të përmbushur në mënyrë efektive nevojat aktuale dhe të ardhshme të tregut të punës.

Trajnimi, i cili ndërthuri njohuritë teorike me zbatimin praktik, u strukturua tre pjesë kryesore:

1. Trajnuesit shpjeguan tre hapat e diversifikimit të ofertës: analizën e nevojave, procesin e vendimmarrjes dhe planifikimin strategjik.

2. Pjesëmarrësit përdorën mjetet e manualit në kontekstin e shkollave të tyre.

3. Përfaqësues të AKPA dhanë komente për të siguruar përputhjen me qëllimet kombëtare.

Hapat e ardhshëm në këtë nismë kombëtare përfshijnë përditësimin dhe përhapjen e gjerë të manualit “Diversifikimi i Ofertës”. Kjo do të sigurojë që institucionet e AFP-së në të gjithë vendin të kenë akses në burimet dhe udhëzimet e nevojshme për të përshtatur në mënyrë efektive ofertat e tyre arsimore dhe për të kontribuar në një fuqi punëtore më të aftë dhe më të punësueshme.