
Pedagogjia Digjitale – Trajnime novatore për realitetin shqiptar
Zhvillimi i teknologjisë dhe digjitalizimi po ridimensionojnë edukimin në mbarë botën. Brezi i sotëm i nxënësve preferojnë të mësojnë ndryshe, duke kërkuar përvoja bashkëkohore të nxëni, që mbështeten në ndërveprim, kreativitet dhe mundësi përzgjedhjeje. Ndaj mësuesi i sotëm duhet të përqafojë këtë mendësi të re dhe ta bëjë pjesë të zhvillimit të vazhduar profesional të tij. Në këtë kuadër, projekti “Aftësi për Punë” po bashkëpunon me Praktika.al, një qendër e akredituar për trajnime, për të ofruar trajnime me në fokus metodat bashkëkohore të mësimdhënies, duke synuar zhvillimin e aftësive pedagogjike dhe digjitale të mësuesve të shkollave profesionale dhe jo vetëm.
Rreth 476 mësues janë regjistruar në paketën e trajnimeve ‘Pedagogjia Digjitale’; trajnime novatore për realitetin shqiptar të sjella në një modalitet të ri, online dhe asinkron në platformën MësoVET. Trajnimet janë ndërtuar në mënyrë të tillë që të krijohet një rrugëtim i personalizuar për mësuesit dhe të arrihet përvetësimi i aftësive dhe kompetencave digjitale, të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së procesit mësimor.
Aplikimi i mësimit të kombinuar, infrastruktura për mësimin e kombinuar apo vlerësimi i nxënësit në mësimin online, janë vetëm disa nga tematikat e trajnimeve që mësuesit po ndjekin aktualisht me mbështetjen e ekspertëve më të mirë të fushës. Materialet e këtyre trajnimeve janë digjitalizuar me shumë kujdes, duke mundësuar një mjedis interaktiv të pasuruar me video, prezantime dinamike, forume, kuice, sondazhe dhe veprimtari të tjera.



