Përdorimi i MësoVET në mësimin online
MësoVET është një platformë e të nxënit, e dizenjuar për të ndihmuar mësimdhënësit të krijojnë kurset e tyre të personalizuara online. Kjo platformë mundëson një mori funksionalitetesh me qëllim krijimin e një hapësire ku mësuesit dhe nxënësit të mund të kryejnë të gjitha aktivitetet brenda saj, duke filluar me ndarjen e materialeve mësimore, ndarjen dhe dorëzimin e detyrave, vlerësimin e nxënësve nepërmjet quizeve, diskutime nëpërmjet forumit, chat, krijimin e wiki-s, monitorim, etj.
Duke marrë parasysh avantazhet e përdorimit të të gjithë elemetëve të lartpërmendur, Rudina Gjoka, mësuese e lëndës së Kimisë pranë shkollës “Kolin Gjoka”, planifikon dhe realizon mësimin në distancë nëpërmjet kësaj platforme. Sipas mësuese Rudinës, platforma krijon mundësinë që nxënësi të njihet paraprakisht me rezultatet e të nxënit të orës mësimore dhe gjithashtu me informacionin e ri, apo aktivitetet që do realizohen gjatë asaj ore. Aktivitetet mund të jenë të formave të ndryshme, si përshembull video shpjeguese/demonstruese, material në Powerpoint, material teorik i plotësuar me imazhe, quize ku nxënësi në fund merr një feedback, udhëzime të mësuesit, wiki, detyra etj.
Një përvojë pozitive për mësuese Rudinën gjatë mësimdhënies në distancë është kombinimi i përdorimit të platformës për mësimin asinkron dhe sinkron. Për të realizuar këtë ajo paraprakisht në një grup në Whatsapp u dërgon nxënësve temën e re mësimore dhe u kërkon atyre të aksesojnë platformën për t’u konsultuar me materialet përkatëse për një afat kohor të përcaktuar. Konsultimi i materialeve lidhet me dëgjimin e një videoje shpjeguese të mësimit, leximi i informacionin e ri, si dhe përgjigje të pyetjeve paraprake në wiki.
Më pas, mësuese Rudina organizon mësimin në ZOOM duke i bërë screen share platformës MësoVET ku së bashku ata diskutojnë përgjigjet e pyetjeve që kanë nxënësit lidhur me materialet. Në këtë mënyrë ata kanë mundësi të vlerësojnë përgjigjet e njëri-tjetrit dhe të kuptojnë më mirë mësimin. Kjo i shërben mësueses të kuptojë paqartësitë që kanë nxënësit dhe mbi cilat tematika duhet të thellohet më shumë në shpjegim. Në fund nxënësit plotësojnë kuizin në platformë dhe mësuesja u jep sqarimet përkatëse për detyrat e shtëpisë.
Kjo mënyrë e organizimit të mësimit në distancë, duke kombinuar mësimin asinkron me sinkron nëpërmjet platfomës MësoVET dhe ZOOM, ndihmon nxënësit që të orientohen dhe nxiten për të përvetësuar sa më mirë njohuritë, për t’i zbatuar, organizuar dhe vlerësuar ato, si dhe krijon mundësinë që ata të ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe mësuesin sikur janë në klasë.