Përgatitja për fazën II të projektit S4J

Përgatitja për fazën II të projektit S4J

Dalëngadalë po i vjen fundi fazës së parë të projektit ‘Aftësi për Punë’ S4J. Pas sistemimit me sukses në praktika profesionale afatgjata të 781 nxënësve, përfshirjes së 336 bizneseve në skema që mbështesin institucionet e AFP-së, trajnimit të 275 mësuesve dhe personelit të shkollave profesionale, nivelit të ulët rekord të braktisjes së shkollës prej 9.3% dhe një tendence premtuese për regjistrimet e reja në shkollat e AFP në krahasim me pikën bazë fillestare, ne vazhdojmë të mendojmë ‘Çfarë vjen më pas?’.

Shihni rezultatet e arritura gjatë Fazës I të ‘Aftësi për Punë’ deri në tetor 2018 në videon e mëposhtme.

Në mes të muajit tetor janë organizuar dy aktivitete shumë të rëndësishme që ndikojnë në vazhdimësinë e projektit tonë.

Kapitalizimi i produkteve kryesore të ‘Aftësi për Punë’ S4J

Për tri ditë me rradhë gjatë muajit tetor, anëtarët e ekipit të S4J u mblodhën në një seminar për të përcaktuar konceptet dhe produktet kryesore të projektit ‘Aftësi për Punë’ S4J për kapitalizim.

Ky ishte vetëm fillimi i një ushtrimi afatgjatë, qëllimi përfundimtar i të cilit është krijimi i një pakete të përshtatshme tëproceseve dhe instrumenteve të pilotuara nga projekti në shtatë institucione publike të AFP-së në Shqipëri. Rezultatet do të jenë shumë të dobishme për përshkallëzimin e projektit në fazën e ardhshme, si dhe për përmirësimin e efikasitetit të punës gjatë zbatimit të nismave të ngjashme tek ofruesit e rinj.

Seminari i Validimit për Fazën II

Pas raundit të konsultimeve të organizuar në muajin shtator, përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Shërbimi Kombëtar i Punësimit, Agjencia Kombëtare për AFP-në dhe Kualifikimet, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ofruesit partnerë të AFP-së, bashkëpunëtorë nga sektori privat dhe ekipi drejtues i projektit ‘Aftësi për Punë’ S4J u mblodhën së bashku një muaj më pas për të validuar linjat e propozuara për ndërhyrjet kryesore gjatë fazës II të projektit ‘Aftësi për Punë’.

Informacioni dhe të dhënat e mbledhura nga të gjitha palët ishin të dobishme për të krijuar një tabllo të qartë për fazën e ardhshme. Seminari ishte një moment i rëndësishëm për hartimin e Fazës II dhe për të kuptuar qartë se zhvillimi i sektorit të AFP-së varet në mënyrë të konsiderueshme nga bashkëpunimi me bizneset.

Drafti i Dokumentit për Fazën II të Projektit u finalizua dhe u nda me Bashkëpunimin Zviceran për Zhvillim (SDC) dhe ministrinë e linjës në fund të muajit nëntor. Presim me padurim të fillojmë punën në fazën tonë të ardhshme!