Perspektiva e Drejtuesve të Institucioneve Partnere mbi projektin “Aftësi për Punë” – Vlerësim vjetor
Një nga arritjet kryesore të ndërhyrjeve të projektit S4J është hartimi dhe formalizimi i planeve strategjike dhe detajimi i planeve operacionale për shkollat e përfshira herët në projekt. Ky plan vlerësohet prej drejtuesve të shkollave si një udhërrëfyes për orientimin strategjik dhe për aktivitet që duhet të kryejnë shkollat për realizimin e objektivave të tyre
Drejtuesit e shkollave të përfshira herët në projekt janë të qartë dhe të vetëdijshëm tashmë për rolin që ka plani strategjik në shkollat që ata drejtojnë si edhe për rolin e tyre në implementimin e suksesshëm të planeve.
Për t’u vlerësuar është edhe qasja e ndjekur për përfshirjen, jo vetëm të drejtuesve të shkollave në hartimin e planit strategjik, por edhe të mësuesve. Gjithpërfshirja në procesin e planifikimit strategjik rrit kuptueshmërinë e planeve dhe objektivave, rrit pranueshmërinë e planeve dhe është faktor i rëndësishëm në zbatimin e planit strategjik.
Paralelisht me optimizmin e drejtuesve për implementimin e planeve strategjike, ata artikulojnë edhe sfidat të cilat mund t’i bëjnë planet inefektive. Ndodhja e ngjarjeve të paparashikuara apo ngjarjeve të rastit, (sic është edhe situata e pandemisë), mund të vënë në rrezik implementimin e planit strategjik, ose së paku të planeve operacionale.